Piratët, 400 milionë USD në 7 vjet

02/11/2013 00:00

Piratët që veprojnë në Bririn e Afrikës kanë fituar mbi 400 milionë
dollarë përmes pengmarrjeve mes viteve 2005-2012, tregon një raport i ri
i Bankës Botërore dhe Kombeve të Bashkuara.

Dokumenti thotë se financierët që fshihen prapa piratëve dhe jo vetë piratët menaxhojnë shumicën e parave të fituara. Më pas paratë përdoren për operacione të tjera kriminale si trafik armësh dhe qëniesh njerëzore.

Raporti bën thirrje për një task forcë financiare për të çrrënjosur rrjetet e pastrimit të parave. Konstatimi kryesor në raport është se financierët marrin 30 deri në 50 për qind të parave, ndërsa ata që quhen “ushtarë terreni” marrin vetëm një shumë standarte.

Kjo arrin nga 30 mijë në 75 mijë dollarë për anije, ose 0.01 deri në 0.025 për qind të mesatares së parave të grumbulluara.

Raporti thotë gjithashtu se komuniteti lokal në Somali siguron shërbime të mira për piratët, përfshirë këtu ushqime, strehim, etj. Sipas raportit, financierët i investojnë paratë si në aktivitete kriminale ashtu edhe në biznese legjitime.

“Të ardhurat lëvizin në mënyrën tipike të kontrabandës përtej kufirit, pastrohen në vendet bazë, lëvizin përmes transaksioneve bankare dhe përmes kompanive ilegale të transferimit të parave”, thekson raporti.

“Pirateria është jo vetëm një kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë, por ka gjithashtu fuqinë për të korruptuar ekonominë rajonale dhe ndërkombëtare”, thotë Stuart Yikona, një prej autorëve të raportit.

Top Channel