Obama: Duhet rritje dhe punë

02/11/2013 00:00

Zgjedhja, në shqyrtimin e buxhetit të Shteteve të Bashkuara, nuk është ajo mes rritjes dhe përgjegjshmërisë së bilancit. Kemi nevojë për të dyja”.

Me këto fjalë presidenti amerikan Barack Obama ka kërkuar që t’i jepet fund obsesionit të shkurtimeve, pasi sipas tij kjo nuk e ndihmon ekonominë amerikane të rritet.

Obama ka nënvizuar se Kongresi duhet t’i bëjë zgjedhjet duke aprovuar buxhetin, pasi rreziku për klasën e mesme të Shteteve të Bashkuara është shumë i lartë.

“Ekonomia amerikane ka bërë progres, por kemi ende punë për të bërë. Duhet ta rrisim dhe të krijojmë vende pune më shpejt”, ka nënvizuar shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Sipas tij, Kongresi duhet të aprovojë një bilanc që të shkurtojë gjërat për të cilat vendi nuk ka nevojë dhe të mbyllë rrjedhjet fiskale që nuk krijojnë vende pune, në mënyrë që të çlirohen burimet.

Një ditë më parë, Shtetet e Bashkuara kritikuan drejtpërdrejtë politikat ekonomike të Gjermanisë duke i quajtur ato egoiste. Në një raport, Departamenti i Thesarit vlerësonte se, Berlini me qëndrimet e tij tepër egoiste po frenon rimëkëmbjen ekonomike të Europës dhe dëmton veçanërisht partnerët e tij në Eurozonë.

“Rritja anemike e kërkesës së brendshme dhe varësia e këtij vendi nga eksportet pengojnë ribalancimin e ekonomive, ndërkohë që edhe vendeve të tjera të Eurozonës iu kërkua të frenojnë kërkesën e tyre të brendshme”, thuhej në raport.

Sipas specialistëve amerikanë, e gjithë kjo çoi në një tendencë deflacioni, fillimisht në vendet që përdorin monedhën e përbashkët e më pas në gjithë ekonominë globale.

Top Channel