Niger ka urdhëruar mbylljen “e menjëhershme” të kampit të emigrantëve në veri të vendit, pasi 92 persona, shumica gra e fëmijë, vdiqën nga etja në përpjekje e sipër për të kaluar shkretëtirën e Saharasë.
Në një deklaratë të lexuar në televizionin publik, gjatë së premtes, qeveria njoftoi gjithashtu se të gjithë ata që janë përfshirë në trafikimin e emigrantëve, shumë prej të cilëve kalojnë përmes veriut të Nigerit për të kaluar në Algjeri apo Libi, do të identifikohen dhe “ndëshkohen ashpër”.
Trupat e dekompozuar të 52 fëmijëve, 33 grave dhe 7 burrave u gjetën të mërkurën, pas vdekjes së tyre në tetor, pasi dy automjete me të cilët udhëtonin u prishën në mes të rrugës, teksa i drejtoheshin Algjerisë.
“Kjo tragjedi është rezultat i aktiviteteve kriminale të udhëhequra nga të gjitha llojet e rrjeteve trafikuese”, tha qeveria, teksa shpallte mbylljen e “getove”, emri që iu dha kampit të emigrantëve në Agadez, qyteti kryesor në veri të Nigerit.
Kryeministri Brigi Rafini do të udhëtojë drejt distriktit jugor të Kantche, nga ku vinin shumica e viktimave, për t’u shprehur “ngushëllimet e një kombi të plagosur nga kjo tragjedi” familjeve të tyre, bën të ditur deklarata.
Qeveria e Nigerit njoftoi gjithashtu se do të mbajë 3 ditë zi pas kësaj tragjedie. Flamujt u ulën në gjysmë-shtizë në ndërtesat zyrtare në kujtim të viktimave, të cilët vinin nga jugu i vendit më të varfër të Afrikës perëndimore, dhe shkonin për në Algjeri. Vetëm 21 prej tyre arritën të mbijetonin.
Top Channel