Ditën e fundit të fushatës për zgjedhjet lokale, Lidhja Demokratike e ka përmbyllur me një tubim të madh në Prishtinë, aty ku lideri i kësaj partie kërkon mandatin e tretë për të qeverisur kryeqytetin kosovar.
Në një atmosferë, ku kontribuoi me thirrjet për Isa Mustafën edhe tifozeria e Prishtinës “Plisat”, kryetari i LDK kërkoi për herë të fundit votën e prishtinasve.
“Premtimet e gjithë atyre, që gjatë gjithë këtyre viteve e penguan zhvillimin ekonomik e urban të Kosovës, e penguan zhvillimin lokal të Prishtinës, janë premtime të pabazuara e që jepen me kushtëzime. Unë u them këtyre se Prishtina nuk fitohet me kushtëzime, se vota në Prishtinë nuk bëhët pazar. Unë iu ftoj që më datën 3 nëntor të jeni të gjithë në vendvotime, që të shfrytëzojmë të drejtën tonë për votën dhe që të ndajmë fatin tonë të përbashkët në qytetin tonë të përbashkët”, tha Isa Mustafa.
Fushata e LDK u përmbyll kështu me prezantimin e kandidatëve për asamblenë komunale të Prishtinës, personalitete të fushave të ndryshme dhe natyrisht me interpretimin e këngëve hit të këngëtares Adelina Ismaili.
***
“Me hajna nuk ka shtet”, “Hajnat në burg”, “Vetëvendosje” ishin brohoritjet e simpatizuesve të shumtë të Lëvizjes Vetëvendosje, në tubimin përmbyllës të fushatës, të premten, në Prishtinë.
Kandidati Shpend Ahmeti kërkoi nga qytetarët dalje masive në zgjedhje, në mënyrë që, siç u shpreh ai, të mos blihen votat e të mos votojnë të vdekurit. Akuza ndaj pushtetarëve pati edhe Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosjes.
“Ata bëjnë pazare, ne bëjmë demonstrata. Ata kanë klientë, ne jemi qytetarë. Ata janë pronarë, ne jemi prodhues. Ata janë zaptues, ne jemi çlirues. Ata janë imitues, ne jemi krijues. Ata kanë lojëra të fatit, ne jemi fati që nuk luan. Ata duan feude, ne duam Republikë. Ata duan principata, ne duam komuna. Ata duan ndarje, ne duam bashkim”, tha Albin Kurti.
Kurti, ndër të tjera, tha se Kosova nuk është e matrapazëve që hyjnë në politikë dhe e politikanëve që u bënë matrapazë.
***
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmbylli fushatën parazgjedhore të premten në Prishtinë. Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Besnik Tahiri, doli edhe një herë para qytetarëve të kryeqytetit.
Në mbështetje të Tahirit ishin zyrtarë të lartë të AAK-së dhe të koalicionit AAK-LDD.
“Unë jam i bindur që qeverisja e Besnik Tahirit në Prishtinë, e bazuar në kontratën që i dedikohet lagjeve veç e veç, jam i bindur se do t’i sjellë zhvillim e prosperitet kryeqytetit tonë”, tha Ramush Haradinaj.
Haradinaj u shpreh i bindur se AAK në Prishtinë do të shkojë në balotazh dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme për Tahirin.
***
Partia Demokratike e Kosovës, e cila fushatën në Prishtinë e mbylli të enjten, ditën e fundit të fushatës e kishte rezervuar për atë, që e konsideron një ndër bastionet e veta më të forta, Drenicën.
“Drenica çdo herë ka qenë bastion i PDK-së, Drenica ka qenë pa dallim UÇK. Çdo familje e juaja ishte shtab i UÇK-së dhe secili prej jush jeni çlirimtarë e ndiheni mirë me vlerat çlirimtare. Në të njëjtën kohë, prej 14 vitesh, PDK-ja është fituese e zgjedhjeve edhe në Skënderaj, edhe në Drenas, edhe në Drenicë. Edhe kësaj radhe, PDK-ja do të shënojë fitore të thella dhe bindëse në shumicën e komunave të Kosovës, ndërsa këtu në Drenas një fitore madhështore, mbi 90 për qind”, tha kryeministri Thaçi.
E në anën tjetër, kandidati për kryetar të Drenasit dhe kreu aktual, Nexhat Demaku, ka thënë se janë forca e parë politike në Drenas dhe në Kosovë, si dhe do të vazhdojnë të mbeten të parët.
“Kurse mercenarëve u dëshiroj humbjen dhe do ta mbajnë mend shumë gjatë”, ka thënë Demaku, duke aluduar ndaj udhëheqësve të Iniciativës Qytetare të Drenasit, e mbështetur nga Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi.
Top Channel