Egjipt, valë e re protestash para gjyqit

02/11/2013 02:40

Mbështetësit e presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi do të zhvillojnë një valë të re protestash në mbarë Egjiptin, disa ditë përpara gjyqit të tij, ndërkohë që janë raportuar përplasje mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të tij.

Të premten, forcat e sigurisë kanë hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit në Aleksandri dhe kanë arrestuar të paktën 60 prej tyre. Protestues pati gjithashtu edhe në qytetet e Kajros dhe Gizas.

Mbështetësit e Morsit kanë bërë thirrje për protesta të përditshme duke nisur nga e premtja, deri sa presidenti i rrëzuar të dalë në gjyq ditën e hënë, duke nxitur turmat të mblidhen jashtë institutit të policisë, pranë burgut Tora në Kajro, ku besohet se mbahet Morsi.

Zyrtarë të Ministrisë së Brendshme të Egjiptit thanë se 20 mijë policë do të shpërndahen të hënën për të ruajtur akademinë në jug të Kajros, aty ku do të zhvillohet edhe gjyqi, si dhe për të siguruar transportin e Morsit drejt një dhome të improvizuar gjyqësore.

Ai nuk ka dalë në publik, që kur ushtria e rrëzoi atë më 3 korrik, si dhe e akuzoi me nxitjen e vrasjes së protestuesve jashtë pallatit të tij, në dhjetor 2012. Ai do të gjykohet së bashku me 14 të pandehur të tjerë.

Të paktën 22 anëtare femra të Vllazërisë Muslimane janë arrestuar të enjten dhe janë akuzuar me “përdorim force për të penguar trafikun gjatë protestave”, “pjesëmarrje në një grup të jashtëligjshëm” dhe “shpërndarjen e fletëpalosjeve të paligjshme”, tha Nasser al-Abd, një zyrtar i lartë i sigurisë në Aleksandri.

Një gjykatës që përfaqësonte të pandehurat, tha se ato ishin të moshës 15-25 vjeç.

“Jemi duke jetuar në shtypje dhe errësirë. Nuk mund ta besoj se vajza ime nuk mund të kthehet me mua në shtëpi dhe se ata i detyruan vajzat të gjunjëzohen duke u drejtuar pistoletat mbi koka”, tha Um Yumna, vajza 15-vjeçare e të cilit është arrestuar.

Abd mohoi keqtrajtimin e femrave. “Jemi duke i trajtuar ato me respektin maksimal, si të ishin fëmijët tanë. Madje lejuam edhe prindërit e tyre t’i vizitonin”, tha ai. Të paktën 1000 anëtarë të Vllazërisë Muslimane janë vrarë në përplasje që prej korrikut dhe të paktën 2000 të tjerë janë nën arrest.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA