Policët që mbajnë uniformat e Kosovës duken nëpër veriun e Mitrovicës. Në oborrin e qendrës së rajonit të veriut, e cila është formuar pas marrëveshjes Kosovë-Serbi, makinat janë të parkuara dhe duket se nuk ka shumë punë për momentin.

Por, Policia e Kosovës ka ofruar mbështetje të ndryshme për procesin e votimit.Besim Hoti, dikur zëdhënës i Policisë në Mitrovicë, tashmë zëvendës-komandant i rajonit të veriut, thotë se policia e Kosovës do të jetë në gjendje gatishmërie.

“Përgjegjësia e policisë është që të krijojë kushtet dhe ambientet për një proces të mbarëvajtjes së mirë të zgjedhjeve. Ne kemi ofruar asistencën në forma të ndryshme, nga përcjellja e materialeve zgjedhore, tek siguria nëpër qendra e deri tek dërgimi i materialeve sensitive në KQZ”, deklaroi zëvendeskomandatin, Besim Hoti.

Kushti i Serbisë ka qenë që komandanti të jetë serb dhe kolegët në uniformat blu duket se bashkëpunojnë mirë.

Gjithsesi, ka ende punë për t’u bërë. Tashmë janë formuar disa dikastere, por duke përdorur policët që kanë qenë në detyrë. Veriu nuk ka njësi speciale.

Në Mitrovicë qytetarët thonë se ka arritur xhandarmëria serbe, por këto mbeten të dhëna të pakonfirmuara.

“Janë informacione që vërtet qarkullojnë, por nuk janë të verifikuara dhe as paraqesin një situatë faktike”, deklaroi Hoti.

Janë rreth 240 policë me uniformat e Kosovës që në katër stacionet e Veriut do të kujdesen për të dhënë ndihmë lidhur me zgjedhjet. Terreni është i madh, por ata do të mundohen.

Top Channel