Policët që mbajnë uniformat e Kosovës duken nëpër veriun e Mitrovicës.
Në oborrin e Qendrës së Rajonit të Veriut, e cila është formuar pas
marrëveshjes Kosovë-Serbi, makinat janë të parkuara dhe duket se nuk ka
shumë punë për momentin.

Por, Policia e Kosovës ka ofruar mbështetje të ndryshme për procesin e votimit.

Besim Hoti, dikur zëdhënës i Policisë në Mitrovicë, tashmë zëvendëskomandant i rajonit të veriut, thotë se policia e Kosovës do të jetë në gjendje gatishmërie.

“Përgjegjësia e policisë së Kosovës është të krijojë kushtet dhe një ambient për një proces të mbarëvajtjes së mirë të zgjedhjeve dhe ne kemi ofruar asistencën në forma të ndryshme, që nga përcjellja e materialeve të ndjeshëm ose jo, deri tek ofrimi i sigurisë statike në cdo qendër të votimit deri në përfundim të procesit zgjedhor”, tha Hoti.
 
Kushti i Serbisë ka qenë që komandanti të jetë serb dhe kolegët në uniformat blu duket se bashkëpunojnë mirë. Gjithësesi, ka ende punë për t’u bërë. Tashmë janë formuar disa dikastere, por duke përdorur policët që kanë qenë në detyrë. Veriu nuk ka njësi speciale.

Në Mitrovicë qytetarët thonë se ka arritur xhandarmëria serbe, por këto mbeten të dhëna të pakonfirmuara.

“Jo, këto janë opinione, informacione që nuk paraqesin situatën faktike dhe nuk janë të verifikuara”, tha Hoti.

Janë rreth 240 policë me uniformat e Kosovës që në katër stacionet e veriut do të kujdesen për të dhënë ndihmë lidhur me zgjedhjet. Terreni është i madh, por ata do të mundohen.
 

Top Channel