
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon ka përshëndetur
përparimin e arritur nga Kosova dhe Serbia dhe vendosmërinë e të gjitha
palëve për të garantuar zgjedhje gjithëpërfshirëse, të pacënuara nga
kërcënimet dhe dhuna.
Ai ka bërë thirrje që të gjitha palët t’u përmbahen standardeve më të larta demokratike dhe të tregojnë respekt të plotë për larminë e opinioneve të popullsisë.
“Sekretari i përgjithshëm beson se zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të drejta të dielën do të shënojë një moment historik në forcimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë”, thotë deklarata e Pallatit të Qelqtë.
Më tej numri 1 i OKB-së ka inkurajuar që në këto zgjedhje të ketë një pjesëmarrje sa më të madhe dhe sa më përfaqësuese që të jetë e mundur.
Një apel të ngjashëm bëri një ditë më parë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle, i cili e vlerësoi si të rëndësishme mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, që për herë të parë do të shtrihen në tërë territorin. Në një deklaratë për shtyp, shefi i diplomacisë gjermane u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë në këto zgjedhje.
“Të gjithë personat me përgjegjësi politike do të duhet të angazhohen për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Zgjedhjet janë një kriter matës i rëndësishëm për zhvillimin demokratik të Kosovës”, tha Westerwelle.
Ndërsa më herët gjatë javës, ishte përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton që u bëri thirrje të dy kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Kosovë dhe për mbylljen e mosmarrëveshjeve të mbetura për procesin zgjedhor.
“Përfaqësuesja e Lartë thekson rëndësinë e zgjedhjeve të së dielës për të ardhmen e Kosovës, për zbatimin e Marrëveshjes dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo i bën thirrje të dy kryeministrave të tregojnë vizion dhe kurajë për të garantuar se këto zgjedhje do të jenë të ndershme e gjithpërfshirëse”, deklaroi zëdhënësja Maja Koçijançiç.
Edhe Shtetet e Bashkuara, përmes ambasadores së tyre në Kosovë, Tracey Ann Jacobson bënë thirrje për zgjedhje të lira dhe të drejta. Jacobson bëri të ditur se ishte takuar me përfaqësuesit e institucioneve të rendit dhe ligjit, nga të cilët ka marrë premtime se ndaj keqpërdoruesve të votave nuk do të ketë “mëshirë”.
Top Channel