Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle e ka vlerësuar si të rëndësishme mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, që për herë të parë do të shtrihen në tërë territorin.

Në një deklaratë për shtyp, shefi i diplomacisë gjermane u ka bërë thirrje të gjithë qytetareve të Kosovës që të marrin pjesë në këto zgjedhje.

“Të gjithë personat me përgjegjësi politike do të duhet të angazhohen për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Zgjedhjet janë një kriter matës i rëndësishëm për zhvillimin demokratik të Kosovës”, thuhet në deklaratën e Westerwelle.

Një ditë më parë ishte përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton që u bëri thirrje të dy kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Kosovë dhe për mbylljen e mosmarrëveshjeve të mbetura për procesin zgjedhor.

“Në deklaratë Përfaqësuesja e Lartë thekson rëndësinë e zgjedhjeve të së dielës për të ardhmen e Kosovës, për zbatimin e Marrëveshjes dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo i bën thirrje të dy kryeministrave të tregojnë vizion dhe kurajë për të garantuar se këto zgjedhje do të jenë të ndershme e gjithpërfshirëse”, deklaroi Ashton përmes zëdhënëses Maja Koçijançiç.

BE pritet t’i vëzhgojë nga afër zgjedhjet e së dielës në Kosovë. Në deklaratën e saj, Ashton përfshinte edhe një mesazh për popullin e Kosovës, sidomos atij serb, të cilit i bën thirrje që të marrë pjesë në zgjedhje, në mënyrë që t’i dëgjohet zëri.

Edhe Shtetet e Bashkuara, përmes ambasadores së tyre në Kosovë, Tracey Ann Jacobson bënë thirrje për zgjedhje të lira dhe të drejta. Jacobson bëri të ditur se ishte takuar me përfaqësuesit e institucioneve të rendit dhe ligjit, nga të cilët ka marrë premtime se ndaj keqpërdoruesve të votave nuk do të ketë “mëshirë”.

Top Channel