Qindra qytetarë dolën në përkrahje të PDK-së, të enjten në Prishtinë, në përmbylljen e fushatës parazgjedhore të këtij subjekti.

Kryeministri Hashim Thaçi, njërerazi edhe kryetar i PDK-së, ministra dhe deputetë nga radhët e kësaj partie ishin në përkrahje të kandidatit për kryetar të Prishtinës, Agim Çeku. Thaçi uroi qytetarët për fitoren. Edhe njëherë ai premtoi mbështetje të plotë për Çekun, duke u bërë thirrje prishtinasve të dalin në zgjedhje.

“Nga sot, mund t’i uroj fitoren elektoratit të PDK-së kudo në Kosovë, por edhe në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinën europiane”, tha Thaçi.

Ndërsa Agim Çeku u zotua në përmbushjen në secilin premtim të bërë gjatë fushatës.

“Së bashku me ju, qytetarë të dashur, do ta qeverisim Prishtinën, do të kemi shërbime europiane në këtë qytet, do ta çlirojmë dhe do ta zhvillojmë më tej atë, por edhe do ta promovojmë. Ndaj, qytetarë të dashur, ‘shërbim, zhvillim, promovim’ është formula e suksesit të Prishtinës”, tha Çeku.

Ndër të tjera, Thaçi tha se në mandatin e ardhshëm qeveritar, 2014-2018, do të rrisë pagat e shërbyesve civilë, në mënyrë progresive, deri në 100%. Në përmbyllje të fushatës, edhe njëherë u prezantuan 55 kandidatët për Asamble.

***
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të enjten, ka përmbyllur fushatën parazgjedhore në Gjakovë. Bashkë me kandidatin, njëherazi kryetarin e kësaj komune, Pal Lekaj, ishte edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Duke përgëzuar Lekajn për punën e deritanishme, Haradinaj tha se përveç fitores në Gjakovë, AAK vitin e ardhshëm do të fitojë edhe Kryeministrinë.

“Gjakova e ka një ofertë, është e vërtetë, është serioze, e ka ofertën për të vazhduar edhe 4 vjet me ne, me Aleancën, me kryetarin Pal Lekaj. Gjakova e ka një ofertë nga viti që vjen, për të vendosur në Prishtinë, për Kosovën. Në këtë ofertë jemi bashkë, më 3 nëntor, të dielën, letërnjoftimet me vete, nr.62, edhe për kryetarin, edhe për listën, të cilën kryeson Valon Vula”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Kurse kandidati Pal Lekaj tha se do të bëjë revolucion pozitiv në Gjakovë, me fokus zhvillimin e ekonomisë së vogël, të mesme dhe ekonomisë familjare.

***
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, për kryetare komune në Skënderaj, Ajnishahe Shala-Halimi, në një intervistë për “KosovaPress” e konsideroi si sistem monist qeverisjen e deritanishme nga PDK-ja. Kjo është edhe arsyeja e kandidimit të saj.

“Vendosa të kandidoj për vet faktin nga gjendja e tanishme, që është krijuar nga sistemi aktual, e që është i padurueshëm për të gjithë qytetarët. Sepse ky sistem i instaluar është sistem monist, një sistem që nuk i ngjan asnjë sistemi të kaluar më përpara, por është një sistem që për veten e tij ka ditur të krijojë të mira materiale dhe që tashmë duhet të ndryshojmë këtë gjendje dhe për të krijuar një pluralizëm politik në Skënderaj”, tha Shala-Halimi.

Shala-Halimi ka akuzuar pushtetin aktual se ka kërkuar edhe haraç ndaj investitorëve, të cilët kanë dashur që të investojnë në Skënderaj. Ajo premtoi se gjatë mandatit të tyre do ta ulin shkallën e papunësisë deri në 20%.

Top Channel