Itali, tre shqiptarë heronj në Savona

01/11/2013 00:00

Tre djem shqiptarë janë bërë heronjtë e ditës në qytetin e Savonës, në
zonën veriperëndimore të Italisë. Ata kanë shpëtuar një grua 80-vjeçare
nga zjarri që kishte rënë në banesën e saj për shkak të një qarku të
shkurtër elektrik.

Banorët e pallatit, që po përfshihej nga zjarri, kanë qenë në panik dhe nuk kanë arritur të hyjnë në apartamentin e pushtuar nga tymi e flakët.

Ndërsa tre djemtë shqiptarë, që po kalonin rastësisht pranë vendngjarjes, nuk kane hezituar të hyjnë kur kanë parë nga dritarja që brenda ndodhej e moshuara pa ndjenja. E kanë nxjerrë nga flakët dhe pasi ajo është dërguar në spital, janë larguar.

Tani qytetarët u bëjnë thirrje nëpërmjet mediave: “Ju lutemi, duam t’ju njohim, për t’ju falenderuar. Jeni vërtet engjëj”. Ata shpjegojnë se pa ndërhyrjen e këtyre djemve e moshuara do të ishte djegur ose do të ishte mbytur mes tymit.

Ndërsa heronjtë shqiptarë, siç konsiderohen tani, mbeten ende të panjohur, mjekët bëjnë të ditur se e moshuara është përmirësuar dhe nuk ka pasur asnjë dëmtim të rëndë.

Top Channel