Projekte ambicioze dhe alternativa nga më të ndryshmet kanë prezantuar kandidatët për kryetarë të Prishtinës, gjatë periudhës një mujore të fushatës zgjedhore. Po aq të ndryshme janë profilet e tyre, por edhe mënyra se si qytetarët dinë ta shfaqin simpatinë.

Më 3 nëntor, qytetarët e Prishtinës mund të zgjedhin mes dy ekonomistëve, një gjenerali apo juristi e njohësi të pushtetit local, një inxhiniereje dhe një aktivisti për të drejtat e njeriut.

Më i riu në moshë dhe në politikë është Korab Sejdiu. i transferuar brenda natës nga LDK-ja në partinë e biznesmenit Behgjet Pacolli. Sejdiu, në programin e tij ka në fokus uljen e papunësisë.

“Me projektin tonë më madhor, që është që të marrim përgjegjësi përsipër për krijimin e vendeve të punës nga niveli komunal dhe kemi projekte konkrete për këtë. Do të alokojmë 2 mln euro nga buxheti i komuntës në këtë drejtim e do të ndërtojmë parkun industrial me infrastrukturë të përshtatshme për të tërhequr investitorët e huaj dhe ata vendas”, deklaroi Korab Sejdiu, kandidat për kryetar i komunës nga AKR.

“Prishtina ka shumë probleme dhe udhëheqja aktuale është e fjetur”, thotë Besnik tahiri i AAK-së. Ai beson se në programin e tij ka zgjidhje për të gjithë sektorët.

Në letër A4 ka shkruar programin e tij për secilen lagje dhe ka vënë firmën me premtimin se gjithçka çfarë është shkruar do të realizohet. Tahiri këtë e quan “Kontrata për Ndryshim”

“Secila lagje e ka specifikën e vet dhe në secilën s’mund të shkojmë me një program gjenerik. Tek një lagje është problem uji, tek Kodra Trimave është infrastuktura duke nisur nga çerdhet, e pupunësia e lartë. Programi im synon të krijojë estetikën urbane në Prishtinë dhe e dyta ka të bëjë me zhvillimin ekonomik lokal që prodhon bujqësia, sektori i shërbimeve, etj”, vlerësoi Besnik Tahiri.

Pavarësisht nga ofertat premtuese, qytetarët e Prishtinës duket se nuk do ta ndryshojnë edhe aq shumë kahun e votës.

LDK-ja mbetet subjekti i parë në Prishtinë, ndonëse sondazhe të ndryshme tregojnë se lëvizja Vetëvendosje me Shpend Ahmetin do ta çojë Prishtinën në balotazh.

Vetëvendosje e ka kritikuar ashpër qeverisjen e Isa Mustafës për mos përmbushje premtimesh, duke filluar nga uji i pijshëm, ngrohja gjatë dimrit, punësimi, ndërtimet pa leje, etj.

“Qytetarët ballafaqohen me reduktime të ashpra uji, me mungesë çerdhe publikesh dhe trafik problematik.

Këto tre gjëra kemi premtuar e kemi folur si do të zgjidhet, me ekipin tonë e inxhinjerët e ujit ata thonë se problem s’është kapaciteti pasi prodhojmë mjaftueshëm, por gjysma na humbet në rrjet, për shkak të lidhjeve ilegale e korrupsionit të lartë. Këtë duam të rregullojmë”, komentoi Ahmeti, kandidati i Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Se Prishtina është qytet i degraduar nga ndërtimet jo vetëm pa leje, por edhe ato me leje e thekson kandidati i PDK-së, Agim Ceku.

“Nevojitet një plan rregullues për çdo lagje. Ne do të shqyrtojmë problemin e do të formojmë një institut urbanistik në komunë dhe do ta diskutojmë këtë me banorët në çdo lagje. Në bashkëpunim me qytetarët do të hartojmë planin urbanistik, që nuk do të ndryshojë më për asnjë arsye”, premtoi gjeneral Çeku.

Ceku, siç duket ka harruar së është dikush nga partia e tij i cili ka ndërtuar këtë objekt pavarësisht se qeverisja e LDK-së e ka rrëzuar disa herë.

Lidhur me këtë, kandidati i LDK-së Isa Mustafa thotë se ka ngritur padi në gjykatë. Përfundimi i projekteve të cilat janë nisur është arsyeja pse Mustafa garon për herën e tretë  Njëra nga to është fabrika e ujit në fshatin Shkabaj.

Mustafa arsyeton edhe mospërmbushjen e disa premtimeve, siç është përshembull rregullimi i transportit urban apo ndërtimi i garazheve nëntokësore. Në një mandat tjetër ai thotë se ka zgjidhje.

“Po në mandatin e kaluar punuam dy vjet me USAID-in në një project dhe analizë për trafikun e kemi arritur tashmë konstatimin përfundimtar, e në mandatin e ardhshëm do të zbatojmë alternativat pas një pune të përbashkët. Përsa i përket garazhdeve nëntokësore, kemi shpallur konkurrsin dy vjet e gjysmë më parë, por ofertat nuk kanë qenë ato që kemi pritur”, deklaroi Mustafa.

Sa i përket ujit të pijshëm, këtë zgjidhje ofron edhe Partia Demokratike, por dallimi është më shumë vendosmëri.

Prishtina, që nga pas lufta udhëhiqet nga Lidhja Demokratike, ndërsa për dy mandate me kryeqytetin kosovar ka qeverisur Isa Mustafa. Balotazhin, Mustafa e ka përjetuar vetëm një herë në 2007-tën përballë kandidatit të PDK-së, Fatmir Limaj.

Top Channel