Atmosfera e zgjedhjeve në veri duket se është mbuluar nga pllakatet për
bojkot. Aleksandar Vulin, ministër pa portofol në qeverinë e Serbisë,
pas Graçanicës ku ishte me zëvendëskryeministrin, Aleksandar Vuçiç,
vizitoi Zubin Potokun.

Nga deklaratat e zyrtarëve serbë dhe opinioni në përgjithësi duket se
ekziston frika që pjesëmarrja do të jetë e vogël. Vulin tha se serbët
duhet të fitojnë në gjashtë komuna për të krijuar asociacionin e tyre,
ndaj pjesëmarrja është e rëndësishme, tha ai.

“Duhet të pyes se çfarë do të ndodhë nëse nuk dalim në zgjedhje? A do të
jemi një qeverisje që e kemi kërkuar apo do të na e imponojnë atë? A
fitojmë mundësi të marrim vendime për të ardhmen tonë apo do të na vinë
ata që ne nuk duam”, deklaroi Vulin.

Pas takimit me një numër të vogël të banorëve, ai vizitoi një fabrikë që
nuk punon. Qytetarët nuk u dukën aq të bindur për premtimet dhe pati
edhe sharje. Kurse Mitrovicën nuk e vizitoi.

“Po dëgjoj kërcënime të ndryshme. Jam mësuar të dëgjoj kërcënime nga të
tjerët, por jo nga serbët për serbët. Prapë po pyes çfarë do të ndodhë
nëse nuk dalim”, u shpreh Vulin.

Veriu i Mitrovicës është në pritje të zgjedhjeve, por gjithçka duket në
pikëpyetje dhe pjesa më e rëndësishme është se si do të kalojnë këto
zgjedhje. OSBE-ja do të organizojë votimet në të katër komunat, ndërkohë
që ditën e fundit të fushatës nuk ka pasur mitingje partish. 

Vuçiç në Kosovë, shpërfill Prishtinën
Numri dy i qeverisë serbe, në tubime elektorale

Zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe ministri pa
portofol Aleksandar Vulin kanë shfrytëzuar vizitën e tyre në Graçanicë
për të folur në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore të Listës
Serbe, iniciativë kjo qytetare që sponsorohet nga Beogradi në zgjedhjet e
3 nëntorit në Kosovë.

Sipas raportimeve të “REL”, ata i kanë bërë thirrje komunitetit serb që në formë referendumi të dalin në zgjedhje, në mënyrë që të marrin pushtetin në komunat ku përbëjnë shumicën.

Ndonëse vizita, sipas autoriteteve të Prishtinës, ishte parashikuar të ishte e karakterit fetar dhe të zhvillohej përbrenda hapësirës së manastirit të Graçanicës, kjo nuk ka ndodhur.

“Kërkuan nga unë që në fillim të shkoj në manastir, pasi sipas Prishtinës kjo është vizitë fetare. Por unë në manastir do të shkoj më vonë”, ka thënë Vuçiç para elektoratit serb.

Ai bashkë me ministrin Vulin janë ndalur në tubimin e Listës Serbe në këtë komunë të re të banuar me shumicë serbe, duke adresuar fjalime për rëndësinë e daljes së serbëve në votimet e 3 nëntorit.

Vuçiç u ka thënë të pranishmëve se nëse kryeministri turk Erdogan ka mundur t’i flasë masës gjatë fushatës, pse të mos e bënte të njëjtën gjë edhe ai.

“Kini parasysh se ne nuk jemi sot këtu sepse do të mbahen zgjedhje partiake. Nuk janë këto zgjedhjet partiake, këto janë zgjedhje që kanë të bëjnë me të ardhmen tuaj, të ardhmen e serbëve të Kosovës”, ka thënë Vuçiç.

Top Channel