Hetuesit në Bosnje dhe Hercegovinë zbuluan një varr masiv, i cili besohet se mban disa qindra viktima të luftës boshnjake për pavarësi nga Jugosllavia (1992-95).
Eshtrat e zbuluara besohet se i përkasin viktimave boshnjake dhe kroate të ekzekutuara prej trupave paraushtarake jugosllave në afërsi të Prijedorit.
Sipas mjekëve ligjorë, të ndjerët i përkasin një prej valëve të para të spastrimit etnik të ndërmarrë me urdhër të Milosheviçit, gjatë verës së 1992-shit.
Kjo varrezë masive e zbuluar në Tomasica është një prej më të mëdhave në dekadën e fundit.
Eshtrat përkatëse të 231 personave janë rikuperuar, si dhe gjithashtu eshtrat jo të plota të 112 personave të tjerë.
Identifikimi i të ndjerëve, një proces që mund të marrë deri në disa muaj, ka nisur paralelisht me gërmimet.
Sipas mediave boshnjake, nuk ka ende asnjë garanci për numrin e personave që janë ekzekutuar në këtë vend të vetëm.
Lufta për pavarësi i kushtoi Bosnjes rreth 200 mijë viktima, ndërsa disa mijëra njerëz vazhdojnë të konsiderohen zyrtarisht të humbur deri më sot.
Top Channel