Siri, fotoreporteri polak i shpëton pengmarrësve

31/10/2013 16:15

Një fotoreporter polak i shpëtoi pengmarrësve në Siri, pas tre muajsh i mbajtur në kushte izolimi, lajmëroi të enjten Ministria Polake e Punëve të Jashtme.

Marcin Suder u rrëmbye nga persona të maskuar ndërsa ishte duke kryer një shërbim në veri-perëndim të Sirisë në muajin Korrik.

Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, ishte ai që raportoi kthimin e Suderit, duke i uruar mirëseardhjen në profilin e tij në “Twitter”.

Fotoreporteri 34-vjeçar punonte për llogari të agjensisë “Corbis” dhe disa agjensive të tjera kur u rrëmbye në 24 Korrik nga qendra e medias në Saraqeb, pranë Idlibit.

Rrethanat në të cilat Suderi arriti t’i shpëtonte pengmarrësve janë ende të paqarta.

Siria konsiderohet nga “Reporters Without Borders” si vendi më i rrezikshëm për gazetarët.

Që prej fillimit të luftës civile në Mars 2011, të paktën 25 gazetarë e fotoreporterë janë vrarë, së bashku me 80 blogera dhe disa qindra bashkëpunëtorë të mediave.

Top Channel