Ekipi i Partisë Demokratike të Kosovës është kërcënuar me armë zjarri gjatë një evenimenti elektoral në Prishtinë.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë subjekti politik, sipas të cilit ngjarja ka ndodhur në lagjen “Kodra e Trimave”, ku katër persona kërcënuan me armë ekipin dhe shkatërruan materialet e fushatës zgjedhore që ishin duke u vendosur në lagje.

Sipas njoftimit të PDK-së, agresorët po udhëtonin me një makinë të tipit “BMW”, ngjyrë hiri dhe me targa “04 103 BO”. Megjithatë, ngjarja duket se nuk është denonciar në polici.

Florie Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, tha se nuk ka marrë asnjë raportim nga ana e PDK-së për rastin në fjalë.

Por në njoftimin e saj, dega e PDK-së në Prishtinë ka dënuar ashpër këtë “akt kriminal” dhe ka apeluar tek elektorati i të gjitha subjekteve politike për maturi, në mënyrë që të mos devijohet mbarëvajtja e deritashme e fushatës.

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë gjithashtu thirrje organeve të sigurisë që të zbardhin sa më shpejt rastin.

Top Channel