Paqeruajtësi që tentoi vetëvrasjen, shok me Voglin dhe Peçin

31/10/2013 00:00

Oficeri i Forcave të Armatosura, Mariglen Brahmati, i cili mbrëmjen e së
hënës, tentoi të vetëvritej me armë zjarri, ende nuk ka dalë nga
rreziku për jetën. Si pasojë e plumbit që ka marrë në pjesën e qafës,
ushtaraku ndodhet në gjendje kome dhe mjekët nuk marrin guximin t’i
bëjnë as skanerin, pasi situata është delikate.

Ndërkaq, babai i 35-vjeçarit, nuk ka mundur që të pranojë aktin e të birit dhe dy ditë më parë ai ka shfaqur probleme shëndetësore. Mjekët janë detyruar që këtë të fundit ta shtrojnë në spital, sepse është shumë e nevojshme që ai të marrë shërbimin mjekësor.

Burimet bëjnë me dije se Brahmati ishte kthyer nga shërbimi ushtarak 4 ditë para se të kryente tentativën e vetëvrasjes. Ngjarja ka ndodhur në njërën prej dhomave ku jetonte familja e ushtarit. Ai ka pritur momentin që të shkëputej prej familjes dhe pa thënë asgjë, ka qëlluar veten me armën e shërbimit.

Familjarët sapo kanë dëgjuar të shtënën me armë zjarri, kanë shkuar në dhomën e 35-vjeçarit dhe e kanë gjetur atë të larë me gjak. Grupi hetimor thotë se akti i vetëflijimit është kryer në kushtet e një depresioni të thellë. Burimet të sigurta thonë se Mariglen Brahmati është dërguar me mision luftarak “EAGLE 4” në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale në Kandahar të Afganistanit me 16 janar të 2012.

Ai ka qenë pjesë e grupit ku shërbente ish-kapiteni Feti Vogli, i cili më datë 20 shkurt 2012 u vra gjatë kryerjes së misionit paqeruajtës në Kandahar të Afganistanit dhe Aleksandër Peçit, specialist i armatimeve, që u plagos rëndë. Pas përfundimit të këtij misioni, ai është nisur sërish drejt Afganistanit, ku është detyruar që ta ndërpresë misionin, prej gjendjes së rëndë psikologjike. Mariglen Brahmati ka qenë oficer i Batalionit Special, i cili ka luftuar në vijë të frontit. Kjo nuk është hera e parë që 35-vjeçari nisej për shërbim luftarak. Më herët ai ka shërbyer në Irak dhe në Chad, por këtu nuk ka qenë në vijën e parë të luftës.

Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, para se Mariglen Brahmati të dërgohej për shërbim ushtarak, u është nënshtruar testeve fizike dhe psikologjike.

“Trupat tona speciale janë në përputhje me të gjitha rregulluat ndërkombëtare të selektimit dhe trajtimit të tyre gjatë shërbimeve ushtarake. Duke qenë se janë trupa speciale, konsiderohen forca të kualifikuara. Janë forca që kanë luftuar përkrah aleatëve tanë dhe kanë pasur të gjitha trajtimet e duhura mjekësore, psikologjike, njerëzore e të tjerë, ashtu siç trajtohen ushtarët e NATO-s. Ka pak ditë që është kthyer me ndjekje të veçantë nga Ministria e Mbrojtjes, pasi ai ka shfaqur shenja depresive gjatë periudhës së shërbimit”, shprehen burime nga Ministria e Mbrojtjes. Ndërkaq, miku i tij, Aleksandër Peçi thotë se Brahmati ka qenë prezent kur ai u plagos dhe kapiteni i tyre, Feti Vogli, mbeti i vrarë. Pavarësisht kësaj, sipas Peçit, 35-vjeçari nuk ka shfaqur për asnjë moment shenja depresioni. “Marigleni ka qenë me mua kur jam plagosur. Sjellja e tij ka qenë shumë e mirë. Ai ka një karakter të fortë. Nuk e di se si është ndier, sepse pas plagosjes sime, Mariglenin e kam takuar vetëm kur është kthyer nga misioni. Më pas shkova në Turqi për t’iu nënshtruar një operacioni dhe e takova një muaj para se ai të nisej për në Afganistan. Në takimin e fundit që patëm, nuk dallova asnjë sjellje të dyshimtë. Nuk e di se çfarë ka ndodhur gjatë kohës së qëndrimit të tij në Afganistan, sepse unë nuk kam kontaktuar më me personin në fjalë”, shprehet kolegu i tij për 35-vjeçarin. Ndër të tjera ai thotë se Brahmati ka 14 vjet që shërben në radhët e ushtrisë dhe ka fituar mjaft medalje. Peçi ka folur edhe për shërbimin që kryenin në Afganistan. “Detyrat në Afganistan ishin të ndryshme. Ne bënim kontrolle në autostradë, patrulla në këmbë nëpër qytet. Shoqëronim personalitete amerikane, të cilët ishin në bazë dhe persona VIP, që vinin në Afganistan për të bërë takime me popullsinë. Detyrat që kryenin Forcat Speciale Shqiptare ishin nga më të ndryshmet. Dua të them që edhe shërbimet luftarake, ndikojnë në shëndetin mendor. Ndoshta kjo ka ndodhur edhe me kolegun tim. Pavarësisht risqeve dhe rrezikut ne nuk kemi frikë që të luftojmë. Ushtarët e forcave speciale, para misionit betohen deri në vdekje, për t’i shërbyer atdheut. Ndonëse misionet janë të vështira, për ne është nder dhe krenari që të jemi pjesë e Forcave Speciale”, përfundon rrëfimin Aleksandër Peçi.

Top Channel