Ekipet e kërkimit në Niger bëjnë të ditur se kanë gjetur trupat e 87 njerëzve të vdekur nga etja, pasi mjeti i tyre u prish gjatë udhëtimit që kishin ndërmarrë për të kapërcyer shkretëtirën e Saharasë.
Punonjësi i shpëtimit, Almoustapha Alhacen, tha se trupat e të vdekurve ishin në gjendje të rëndë dekompozimi dhe ishin pjesërisht të ngrëna, me shumë mundësi prej çakejve.
Trupat e gjetur mendohen të jenë të punonjësve emigrues dhe familjeve të tyre, shumica prej të cilave identifikohen si gra dhe fëmijë. Niger është “vend tranzit” popullor për emigrantët, të cilët kërkojnë të kalojnë nga shtetet afrikane të Saharasë së poshtme drejt Europës.
Por, mes atyre që arrijnë të kalojnë shkretëtirën, shumica përfundojnë duke punuar në vendet e Afrikës veriore.
Sipas Alhacen, një prej mjeteve, me të cilin emigrantët po udhëtonin, është prishur vetëm pak çaste pasi ata ishin larguar nga Arlit, në fund të shtatorit dhe fillim të tetorit.
Zyrtarë të sigurisë kanë thënë se mjeti i dytë u prish, teksa ishte në rrugë e sipër për t’u kthyer në Arlit, për të gjetur pjesë këmbimi. Besohet se disa prej grupeve të emigrantëve vendosën të ecnin në këmbë, përfshi një grup prej 10 vetësh, të cilët arritën të ktheheshin në Arlit dhe të lëshonin alarmin, tha Alhacen.
Top Channel