Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka marrë aktvendim për pushimin e hetimeve kundër Aleksandër Vulin, ministër pa portofol në qeverinë e Serbisë.

Sipas një komunikate për shtyp, Departamenti i Përgjithshëm i prokurorisë ka autorizuar policinë kufitare që të kryejë hetime shtesë lidhur me rastin e Vulin, që thuhet se hyri pa leje në Kosovë.

Sipas njoftimit, më datë 29 tetor prokuroria pranoi nga Policia e Kosovës një raport plotësues në të cilin thuhet se gjatë zhvillimit të hetimeve lidhur me këtë rast janë siguruar dëshmi, në bazë të të cilave vërtetohet se Vulin, më 16 tetor hyri në territorin e Kosovës përmes linjës hekurudhore Kralevë-Zveçan-Mitrovicë e Veriut, e cila është pikë e autorizuar për kalim kufitar.

Në bazë të këtyre dëshmive, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë kërkesë në gjykatën e këtij qarku që ta tërheqë urdhër-arrestin e lëshuar ndaj të pandehurit Vulin, si dhe ka pushuar hetimet, pasi janë plotësuar kushtet ligjore për një gjë të tillë.

Top Channel