Prokurorët e shtetit të Kosovës, në kuadër të detyrimeve ligjore që kanë lidhur me Zgjedhjet Lokale 2013, gjatë ditës së enjte kanë punuar edhe dy raste të reja të cilat kanë të bëjnë me veprat penale kundër të drejtave të votimit nga kapitulli XVIII i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka marrë akt-vendim për fillimin e hetimeve kundër tre personave, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm se më datë 30.10.2013, në fshatin Partesh bashkërisht kanë cënuar përcaktimin e lirë të votuesve, me çfarë dyshohet se kanë kryer veprën penale “Cënim i përcaktimit të lirë të votuesve.

Prokuroria Themelore në Gjilan, lidhur me këtë rast, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjilan që ndaj dy të pandehurve të caktojë masën e paraburgimit, ndërkaq ndaj të pandehurit të tretë të caktoj masën e arrestit shtëpiak.

Edhe Prokuroria Themelore në Pejë, po sot ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve kundër katër personave, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm se më datë 27.10.2013, në Pejë, në mënyrë të kundërligjshme kanë publikuar materiale degraduese në rrjetin social Facebook, me qëllim të pengimit të të dëmtuarave për t’u kandiduar, me çfarë dyshohet se kanë kryer veprën penale “Cënim i të drejtës për t’u kandiduar”.

Prokuroria Themelore në Pejë, lidhur me këtë rast kundër njërit të pandehur ka caktuar masën e ndalimit policor.

Prokurori i Shtetit inkurajon qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, në Policinë e Kosovës, apo përmes numrit telefonik 192, numër zyrtar i Policisë së Kosovës, çdo rast për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.

Top Channel