Qeveria e Kosovës tri ditë para zgjedhjeve miratoi projekt-buxhetin për vitin 2014 i cili do të jetë 1 miliard e 590 milion euro, një milionë me pak se ai paraprak.

Në projekt-buxhetin për vitin 2014 janë paraparë 484 milion në llogarinë e pagave që janë 45 milion me shumë se sa vitin e kaluar. Për këtë arsye kryeministri kosovar premtoi rritje të pagave 100 % në sektorin publik por në mënyrë graduale.

“Do ketë cdo vit rritje progresive që nga viti 2014 deri në vitin 2018 të arrijmë rritja e pagave për 100 përqind për cdo kategori të punonjësve kosovarë sepse synimi ynë është që të kalojmë standardin rajonal dhe të arrijmë standardin e vendeve të Bashkimit Europian për punëtorët kosovarë”, deklaroi kryeministri Thaçi.

Si rrallë herë më parë kundër vendimeve të kabinetit qeveritar dhe në këtë rast kundër projekt-buxheti ishte vetëm Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani. Kjo për shkak se qeveria nuk aprovoi kërkesën për punësimin e 119 specialistëve të rinj në sektorin e shëndetësisë.

“Unë ndaj mendimin tim në këtë cështje që nuk është e mundur të zbatojmë reforma në sistemin shëndetësor pa asnjë të punësuar. Nëse rrisim pagat për të gjithë të punësuarit dhe në të gjithë sektorët duhet gjetur mundësia edhe për rritjen e numrit të punonjësve”, deklaroi Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.

Ministri i Financave, Besim Beqaj mohoi se miratimi i projekt-buxhetit ka tendencë elektorale kur kemi parasysh që vendimi merret vetëm 3 ditë para zgjedhjeve lokale. Ndërkohë ai mohoi edhe rrezikun e mos miratimit të projekt-buxhetit nga Kuvendi i Kosovës.

“Buxheti i Kosovës është buxhet i qytetarëve, i qeverisë, është buxhet i Kuvendit, është buxhet i zhvillimit dhe unë dua të besoj se të gjithë do ta shohin perspektivën në momentin kur të shkojë buxheti për t’u diskutuar. Do të shihet buxheti kur e merr dhe e lexon me kujdes që ky buxhet është një ndër buxhetet me stabël në nivelin rajonal që shënon rritje ekonomike, edhe për vitin 2014, e cila konform edhe vizitave të fundit që kam pasur në Uashington dhe me BB-në, konsiderohet se Kosova do ta ketë rritjen me të madhe në nivel rajonal. Prandaj, këto janë veprime shtetërore dhe në të mirë të qytetarëve dhe jam i bindur se buxheti do të kalojë”, tha ministri Beqaj.

I pyetur se përse nuk u aprovua kërkesa e Ministrit të Shëndetësisë ai nuk pranoi të përgjigjej. Ndërkohë që theksoi se do të ketë rritje të pagave përfshi edhe sektori i shëndetësisë dhe në gjithë sektorin publik pa dhënë detaje se sa do të jenë ato rritje.

Top Channel