Brazil, vrasje makabre e ish-futbollistit

31/10/2013 04:30

Kur e shoqja e ish-futbollistit profesionist, João Rodrigo Silva Santos, hapi derën e dyqanit, mëngjesin pasardhës, teksa shkonte për të punuar, gjeti kokën e tij të prerë në dysheme.

Koka ishte e futur në një çantë shpine, bëri të ditur policia. Sytë e Santos-it (futbollistit) dhe gjuha ishin të nxjerra jashtë kafkës, sipas raportimeve të medias braziliane.

Tashmë, policia në Rio de Janeiro po heton vrasjen makabre, megjithatë ata nuk kanë deklaruar se cilët dyshohen të fshihen pas saj.

Santos, 35 vjeç, ishte sulmues i një numri ekipesh futbolli të dorës së dytë në Rio de Janeiro, përpara se të tërhiqej dhe të hapte një dyqan ushqimesh të shëndetshme.

Vdekja e tij vjen në një kohë kur tifozët e futbollit në mbarë botën po kthejnë vëmendjen drejt Brazilit, vend që do të organizojë Kupën e Botës verën e vitit 2014.

Një zyrtar policie tha për gazetën braziliane “O’Globo”, se autoritetet janë duke hetuar nëse ndonjë publikim i fundit në faqen zyrtare të dyqanit në Facebook mund të jetë i lidhur me krimin. Postimi i fundit tregon pamje të një ndjekjeje dhe kërkonte ndihmë për të kapur hajdutët e dyqanit.

Policia ka planifikuar të krahasojë imazhet e pamjes së ndjekjes, të marra në dyqan gjatë natës së ditës së hënë, tha shefi i hetuesve për vrasje, Rafael Rangel, për gazetën. Ish-futbollisti u pa për herë të fundit natën e së hënës, kur dy të dyshuar hynë në mjetin e tij, raporton “TV Record” për CNN.

Të mërkurën në mëngjes, policia tha se kishte gjetur pjesë të një trupi mashkulli në një lumë në periferi të qytetit dhe se kishte marrë për testime ADN-në për të mësuar nëse trupi i përket Santos-it.

Top Channel