Pak ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve lokale në Kosovë, Komisioni Evropian ofroi 15 milionë euro shtesë që shkojnë për komunitetin serb në vend, në veçanti në pjesën e Veriut.

“Komisioni Evropian vendosi të ofrojë fonde shtesë për të luajtur një rol në normalizimin e mardhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht duke mbështetur komunat me shumicë serbe në Kosovë, në veçanti në Veri, dhe që përfshijnë financime për infrastrukturën lokale, administratën publike apo zhvillimin rural”, deklaroi Frederic Vincent, zëdhënës i Komisionit Evropian.

Në të njëjtën ditë, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton i bëri thirrje të dy kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Kosovë dhe për mbylljen e mosmarrëveshjeve të mbetura për procesin zgjedhor.

“Në deklaratë Përfaqësuesja e Lartë thekson rëndësinë e zgjedhjeve të së dielës për të ardhmen e Kosovës, për zbatimin e Marrëveshjes dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo i bën thirrje të dy kryeministrave të tregojnë vizion dhe kurajë për të garantuar se këto zgjedhje do të jenë të ndershme e gjithpërfshirëse”, deklaroi zëdhënësja Maja Koçijançiç.

BE pritet t’i vëzhgojë nga afër zgjedhjet e së dielës në Kosovë. Në deklaratën e saj, Ashton përfshin një mesazh për popullin e Kosovës, sidomos atij serb, të cilit i bën thirrje që të marrë pjesë në zgjedhje, në mënyrë që t’i dëgjohet zëri.

Top Channel