
Në një seri dedikuar shëndetit riprodhues dhe raporteve seksuale në adoleshencë, “Pasdite” në “Top-Channel” solli për shikuesit historinë tronditëse të një vajze që përjetoi dhimbjen e një aborti në moshën 16-vjeçare.
“Kam qenë 16 vjeç, kur krijova marrëdhënie seksuale me të dashurin e parë, me të cilin kisha kohë e lidhur”, deklaroi vajza, e cila preferoi të mbetej anonime dhe u shfaq në televizor me kurriz.
“I dashuri më thonte që nuk mund të më ndodhte asgjë dhe i besova, kisha besim tek ai. Megjithatë, një ditë nuk ndihesha shumë mirë, kisha disa shenja dhe edhe pse me forcë e mohoja brenda vetes, e kuptova që mund të kisha mbetur shtatzanë. Në fillim nuk isha e sigurt, vajta në farmaci e mora një test, shkova në shtëpi dhe pasi e mësova edhe nga testi që isha shtatzanë, mora të dashurin dhe i tashhë që prisja një fëmijë”, vazhdoi rrëfimin e saj vajza.
“Ai nuk e priti mirë dhe më tha ta hiqja. Ai ishte 17 vjeç dhe nuk e donte një fëmijë. Mbas konfliktit u ndamë, iu drejtova shoqes sime të ngushtë, i tregova se çfarë ndodhi dhe ajo më thoshte që t’i hapesha mamasë, t’i kërkoja ndihmë asaj. Unë nuk doja, por shoqja e ngushtë i tregoi gjithsesi mamasë sime. Mamaja foli me mua dhe vendosëm që ta abortonim fëmijën sepse më thoshte që jam akoma e re dhe e kam jetën përpara. Në fillim mamaja nuk e priti mirë, mbeti e shokuar, ajo s’dinte që kisha të dashur e aq më pak që kryeja marrëdhënie, po pasi folëm hapur e kaluam të dyja shumë mirë”, tregoi adoleshentja.
“Abortin e bëra në klinikë private. Kisha mbështetjen e shoqes dhe mamit, isha 8 javëshe kur hoqa fëmijën. Jam penduar që kisha aq shumë besim tek dikush që në fund më lëndoi”, përfundoi intervistën rreth historisë së saj të trishtë e reja.
Top Channel