Ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson ka bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe të drejta. Kur kanë mbetur edhe katër ditë para zgjedhjeve lokale, ajo ka kërkuar denoncim për çdo mashtrim të mundshëm në këto zgjedhje.

Ajo bëri të ditur se është takuar me përfaqësuesit e institucioneve të rendit dhe ligjit, nga të cilët ka marrë premtime se ndaj keqpërdoruesve të votave nuk do të ketë “mëshirë”.

“Duke marrë parasysh se jemi afër zgjedhjeve dua t’ju rikujtoj se e drejta për zgjedhje të lira dhe të ndershme ka të bëjë me drejtësinë. Kam pasur rastin që të flas me ministrin e Punëve të Brendshme, me kryeprokurorin e shtetit rreth përpjekjeve të tyre për të hetuar dhe për t’i ndjekur të gjitha rastet e mashtrimit gjatë zgjedhjeve”, deklaroi Jacobson.

Në këtë debat, ku u diskutua për mbrojtjen dhe liritë e të drejtave të njeriut, u tha se Kosova në këtë fushë lë shumë për të dëshiruar, pavarësisht se korniza ligjore në Kosovë është e ndërtuar në bazë të standarteve evropiane.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi thotë se si shoqëria civile, institucionet, duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur që drejtësia të jetë në interesin e të gjithëve.

“Pushteti gjyqësor në Kosovë ushtrohet nga gjykatat dhe ai është unik dhe i pavarur, i drejtë e i paanshëm, që siguron qasje të barabartë në gjykata. Por, nga kjo që shkruajmë në Kushtetutë dhe në ligje deri te realizimi i saj ka një distancë të madhe, por megjithatë e mira është që në letër kemi vendosur standardet se si do të duhej të ishte sistemi i drejtësisë, se si do të duhej të zbatohej drejtësia. Zbatimi kudo është më i vështirë, por në shoqëritë në tranzision zbatimi është pak më i vështirë dhe sigurisht kërkon kohë”, deklaroi Krasniqi.

Ndërkohë, Hilmi Jashari, menaxher ligjor i Programit për të Drejtat Civile, tha se nga Kuvendi i Kosovës brenda vitit miratohen mbi 100 ligje, por shumë prej tyre nuk janë të harmonizuara. Ai theksoi se shpesh herë gjyqtarët janë në dilemë se cilat dispozita dhe në cilin moment duhet t’i zbatojnë, sepse ka disa ligje që bien ndesh me njëri-tjetrin.

Top Channel