Përgjimet, bisedimet SHBA-Gjermani

30/10/2013 23:20

Zyrtarë të lartë gjermanë dhe amerikanë të agjencive të zbulimit u takuan në Uashington, pas publikimit të lajmit se Shtetet e Bashkuara përgjuan telefonin celular të Kancelares Angela Merkel.

Pjesë e delegacionit gjerman ishte këshilltari i Kancelares Merkel për çështjet e zbulimit, Gunter Heiss. Nga pala amerikane, në takim mori pjesë shefi i zbulimit, James Clapper, dhe këshilltarja e presidentit për Sigurinë Kombëtare, Susan Rice.

Uashingtoni ka deklaruar se nuk e përgjon celularin e Kancelares dhe nuk do ta përgjojë në të ardhmen, por mediat raportuan se kjo ka ndodhur prej vitit 2002. Gjermania dhe Franca kërkuan nga Shtetet e Bashkuara që, deri në fund të vitit, të nënshkruajnë një marrëveshje, që vendet aleate të mos përgjojnë njeri-tjetrin.

Sërish për çështjen e përgjimeve, ndodhet në Uashington për bisedime me zyrtarët amerikanë edhe një grup nga komisioni i Lirive Civile të Parlamentit Europian.

Eurodeputeti gjerman, Elmar Brok, i delegacionit të Parlamentit Europian që ndodhet në Uashington, e shprehu këtë indinjatë. “Kur bëhet fjalë për të përgjuar qytetarët e zakonshëm, nuk duhet të jetë më e pranueshme dhe mendoj se një gjë e tillë është shumë e rëndësishme, sepse nuk e kemi ndjesinë e të bashkëpunuarit lirisht, nëse fqinji apo miku yt po të përgjon”.

Njoftimet se Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) mblodhi të dhëna telefonike dhe monitoroi komunikimet e 35 udhëheqësve botërorë kanë indinjuar politikanët dhe avokatët e lirive civile, si në Shtetet e Bashkuara edhe në vende të tjera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA