Partia Demokratike e Kosovës mbylli fushatën parazgjedhore në Gjilan. Në përkrahje të kandidatit Qemajl Mustafa, kryetari aktual i komunës, ishte edhe kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi. Thaçi përsëriti premtimin për rritjen e pagave, duke thënë se premtimi sot është vendim nesër.

“Ka qenë kënaqësi e veçantë edhe për mua që të jem pjesë e fushatës suaj për Gjilanin evropian. Dhe në çdo takim që kemi zhvilluar derë më derë, shtëpi për shtëpi, kudo, në fshat dhe qytet, shihet, kuptohet dhe ndihet kudo mbështetje edhe më e fuqishme për Partinë Demokratike të Kosovës, prandaj urime! Fitore! Faleminderit qytetarëve të Gjilanit. Faleminderit për besimin. Faleminderit për përkrahjen. Faleminderit për respektin tuaj dhe faleminderit që i besoni vizionit të Partisë Demokratike të Kosovës për Kosovë evropiane, për Gjilanin evropian, natyrisht për Zhegrën si komunë”, deklaroi Thaçi.

Edhe Qemajl Mustafa i uroi qytetarët e Gjilanit për fitore, duke thënë se tubimi përmbyllës tregon vazhdimësinë e punës së përbashkët.

Ndërkohë, kandidati i Lidhjes Demokratike për kryetar të Prishtinës, Isa Mustafa të mërkurën vizitoi tregtarët e tregut të shumicës në Prishtinë, ku u prit me muzikë e fishekzjarre.

“Ju premtoj po ashtu se ne do të vazhdojmë të punojmë, që të zgjidhet statusi i tregut. Që tregu të jetë kompani publike komunale, sepse ai punon për interesat e qytetarëve. Duke pasur parasysh që çdo komunë ka tregun e vet edhe ne do ta kemi tregun si komunë, jo të jetë kompani shoqërore ashtu siç është tani. Do të ndihmojmë po ashtu që këto objekte këtu dhe kjo hapësirë të ruhen dhe të jenë hapësirat juaja”, tha Mustafa.

Top Channel