Misioni i OSBE-së nuk i raporton Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me zhvillimet zgjedhore në veriun e vendit.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, por edhe anëtarët e komisionit, janë ankuar rëndë ndaj OSBE-së dhe kanë kërkuar sqarime nga ky mision. Sipas tyre, KQZ nuk ka marrë asnjë informacion se çfarë po ndodh me zhvillimin dhe përgatitjet për zgjedhjet në veri.

Paqartësi dhe mungesa të raportimeve, sa i përket përgatitjeve të procesit zgjedhor, janë paraqitur edhe me procesin e votimit jashtë vendit. Edhe për këtë çështje, KQZ-ja thotë se OSBE-ja nuk ka dhënë asnjë informacion. Madje, pyetja më enigmatike për KQZ-në mbetet: Si është e mundur, që votimi jashtë të bëhet nëpërmjet postës, ndërkohë OSBE-ja dërgon edhe kuti votimi për ketë proces?!

“Nga ambasadori i OSBE-së kam marrë një përgjigje se neve, ndërkohë, do të na sillet një raport, megjithatë edhe përkundër kësaj përgjigjeje ne deri në ditën e sotme nuk kemi asgjë. Edhe unë jam shumë e interesuar për të ditur se çfarë është duke ndodhur në pjesën veriore, sidomos çfarë është duke ndodhur me votimin përmes postës, sepse këtë shqetësim e kam shprehur edhe te përfaqësuesit e OSBE-së dhe ata të BE-së, por edhe te vëzhguesit e BE-së që janë këtu dhe kam kërkuar shpjegim mbi atë që është duke ndodhur me votimin përmes postës”, tha Valdete Daka, kryetare e KQZ-së.

KQZ vendosi që të njoftojë edhe zyrtarët e BE-së lidhur me këto probleme. Më tej, KQZ-së mori vendim për ndalimin e çdo mjeti, i cili mund të bëjë fotografimin e votës ditën e votimit. Ky vendim erdhi pas disa tendencave të subjekteve politike, të cilët po u kërkojnë votuesve të fotografojnë votat. Kjo kërkesë u shtrua nga antari i LDK-së, Florian Dushi. Kundër këtij vendimi ishte vetëm antari i PDK-së, Ilir Gashi.

Në ditën e zgjedhjeve KQZ, me anë të njoftimeve të ndryshme, do të njoftojë të gjithë qytetarët se fotografimi i votës, me ligjet në fuqi, përbën vepër penale. Në rast të kapjes së ndonjë personi, i cili fotografon votën, menjëherë do të njoftohet policia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA