Lidhja Demokratike e Kosovës  akuzon kryeministrin Hashim Thaçi se po përdor buxhetin e shtetit për qëllime elektorale.

Sipas LDK-së, në kohë fushate qeveria Thaçi ka reduktuar buxhetin nëpër institucione të ndryshme në vlerë prej 5.7 milionë euro, duke anuluar projekte të rëndësishme kapitale që janë pjesë e Ligjit të Buxhetit të aprovuar në Kuvendin e Kosovës,  thuhet në një komunikatë të lëshuar nga LDK.

Ndërsa kandidati për kryetar i Prishtinës i Partisë Demokratike të Kosovës, Agim Ceku, fushatën e vazhdoi me takimet me qytetarët e kryeqytetit.

“Ka qenë fushatë korrekte, garë e vështirë, ne mendojmë se unë dhe PDK kemi vendosur të merremi me qytetarët, t’ju ofrojmë ofertën tone”, u shpreh Ceku.

Besnik Tahiri, kandidat për Prishtinën nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të martën vazhdoi fushatën me planin e tij për rregullimin e rrjetit të ujit, rrugëve dhe ndriçimit: “Duam të krijojmë një rezervuar vetëm për këtë lagje.”

Ndërsa, Aleanca Kosova e Re mbylli fushatën në Podujevë. Në përkrahje të Ismet Ibishit, kandidat për kryetar komune, ishte edhe kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli: “Keni dëgjuar para disa ditësh një kryetar të një partie që mallkon këdo që nuk e voton atë parti. Ai do të jetë vetë i mallkuar për arsye se nuk ka të drejtë të mallkojë atë që ka një mendim tjetër.”

Top Channel