Një trup gjykues i përbërë nga gjyqtarë vendas dhe ndërkombëtarë në Gjykatën Themelore të Prizrenit shpalli të mërkurën fajtor për trafik qëniesh njerëzore shtetasin Adrian Bytyçi dhe e dënoi atë me tri vjet burg.

I pandehuri u dënua në bazë të marrëveshjes për pranimin e fajësisë. Ardian Bytyçi u shpall fajtor për kontrabandën e imigrantëve, kryesisht me prejardhje turke, nga Kosova për në Kroaci dhe Slloveni dhe tutje për në destinacionet përfundimtare të tyre në Itali dhe në vendet e tjera të BE-së, përfshirë Hungarinë, Austrinë, Gjermaninë.

Rasti u ndoq penalisht nga një prokuror ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës. I pandehuri u arrestua në prill 2012 si pjesë e një operacioni të përbashkët të Njësisë së EULEX-it për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe të Departamentit të Krimit të Organizuar të Policisë së Kosovës.

Aktakuza u ngrit nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së më 16 prill 2013, ndërsa gjykimi filloi më 28 tetor.

Top Channel