Lufta kundër kontrabandës së mallrave nga veriu i Kosovës nuk duket se është e lehtë për Policinë e Kosovës. Kjo, pasi kontrabandistët në shumë raste provojnë të ikin nga forcat e rendit kur ato i ndjekin.

Një rast i tillë ndodhi mëngjesin e së mërkurrës kur njësitet policore iu vunë pas maunes që po transportonte në mënyrë ilegale karburante nga veriu drejt jugut.

I dyshuari për transportim ilegal të derivateve, shtetasi Ridvan A. nga Mitrovica, pasi u ndoq nga policia në rrugën Mitrovicë-Leposaviç dhe anasjelltas, në përpjekje për të shpëtuar, goditi makinat e policisë duke lënë tre policë të lënduar e po kështu duke shkaktuar dëme materiale.

Por njësitet policore arritën që pas vendosjes së pengesave në rrugë të ngadalësonin shpejtësinë e maunes, e cila përfundoi e shkatërruar në fshatin Zhabar të Mitrovicës. Këtu u arrestua edhe i dyshuari.

“Kemi të bëjmë me tentativë për të devijuar nga rruga, kemi plagosje të agjentëve të policisë dhe autori është i njohur për policinë për afera të tilla”, deklaron Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Bëhet fjalë për 15 mijë litra karburante të konfiskuara. Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci tha se lufta kundër kontrabandës së mallrave nga veriu është ashpërsuar si rezultat i taskforcës së krijuar në tetor të këtij viti nga dogana, policia dhe administrata tatimore e Kosovës.

“Deri tani janë kapur rreth 15 mijë litra naftë që ka pasur qëllimin e kontrabandimit. Edhe vlera e mallrave kontrabandë të konfiskuara shkon mbi 50 mijë euro”, saktëson Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave.

Trendi i kontrabandës së mallrave nga veriu është zvogëluar pas fillimit të kontrollit në dy pikat kufitare, Jarinje dhe Bërnjakë, në veri të Kosovës.

Të dhënat zyrtare nga doganat tregojnë se gjatë këtij viti janë rritur hyrjet e përgjithshme për mbi 2 për qind, çka do të thotë se është zvogëluar kontrabanda. Megjithatë, përsa i përket veriut, sfidë mbetet kontrolli i vijës së gjelbërt dhe shtigje të tjera të cilat mbeten të hapura për shkelësit e ligjit.

Top Channel