Shtëpia e Bardhë ka pranuar nevojën për “kufizime” të reja sa i përket mbledhjes së informacioneve sekrete nga ana e amerikanëve. Zëdhënësi Jay Carney tha se rishikimi i politikës së inteligjencës në SHBA do të marrë parasysh edhe “shqetësimet për privatësi”.
Spanja ishte e fundit ndër shumë shtete, që është raportuar si shënjestër e mbledhjes së të dhënave telefonike nga SHBA-të. Një senator i lartë demokrat në Senat tha se paneli i inteligjencës do të duhet të kryejë një “rishikim madhor” të programeve amerikane të spiunazhit.
Dianne Feinstein tha se ishte “totalisht në kundërshtim” të mbledhjes së të dhënave sekrete nga Agjencia për Sigurinë Kombëtare (NSA), sidomos me përgjimet ndaj liderëve të aleatëve të SHBA-ve.
Një delegat i BE-së në Washington e përshkroi këtë mosmarrëveshje si “shkelje të besimit”.
Të hënën Carney, zëdhënës i presidentit amerikan Barack Obama, tha për reporterët se administrata “e pranon se është e nevojshme një kufizim shtesë ndaj mënyrës se si ne mbledhim dhe përdorim inteligjencën”.
Ai tha se SHBA-të nuk e kanë përdorur aftësinë e mbledhjes së informacioneve sekrete me qëllim për të promovuar interesat e tyre ekonomike, dhe se Obama është i angazhuar për të siguruar se “ne kemi mbledhur informacione jo sepse ne mundemi, por sepse neve na është dashur për shkaqe të sigurisë sonë kombëtare”.
“Ne, gjithashtu, duhet të sigurojmë se burimet tona të inteligjencës janë më efektive në mbështetje të politikave tona të jashtme si dhe objektivave të sigurisë kombëtare, si dhe më efikase në peshimin e risqeve dhe përfitimeve të aktiviteteve tona”, shtoi ai.
Një shqyrtim rrënjësor, përtej çdo barriere, i burimeve tona të inteligjencës, i cili tashmë ka nisur, pritet gjithashtu të asistojë administratën në “përllogaritjen e duhur të sigurisë së shtetasve tanë dhe të aleatëve tanë, si dhe të shqetësimeve për privatësi të shfaqur si nga amerikanët, edhe nga shtetasit e tjerë në mbarë botën”, deklaroi Carney.
Carney dhe Obama nuk kanë komentuar në lidhje me akuzat specifike se SHBA-të kanë përgjuar aleatët ndërkombëtarë, përfshi edhe përgjimet e telefonatave të zyrtarëve të huaj.
Më herët gjatë së hënës, përfaqësues nga Komiteti i Parlamentit Europian për Liritë Civile, Drejtësisë dhe Marrëdhënieve të Brendshme, folën përpara anëtarëve të Kongresit amerikan në lidhje me spiunazhin e akuzuar të SHBA-ve ndaj liderëve europianë dhe shtetasve të Europës.
“Ne donim t’i transmetonim atyre, së pari, se gjithë ky survejim masiv ndaj shtetasve europianë është një shqetësim i ligjshëm”, tha laburisti britanik, Claude Moraes, anëtar i delegacionit dhe anëtar i parlamentit britanik, për BBC pas takimeve.
Por, Moraes shtoi se ai dhe delegatët e tjerë ishin të pakënaqur me “mungesën” e përgjigjeve nga zyrtarët amerikanë në lidhje me këtë çështje. “Ata po na japin përgjigje, por jo ato që dëshirojmë ne, – tha ai. – Po fillojmë të lodhemi disi me këtë problem, edhe pse jemi dakord se spiunazhi ka ekzistuar gjithmonë”.
Spanja ka urdhëruar gjithashtu SHBA-të të japin detaje të ndonjë përgjimi, pas raportimeve se NSA-ja ka monitoruar rreth 60 milionë telefonata të spanjollëve në vetëm 1 muaj, gjatë këtij fillimviti. Akuza e fundit, e publikuar nga gazeta spanjolle “El Mundo”, është se NSA ka përgjuar dhjetra miliona telefonata, tekste mesazhesh dhe e-mail-e të qytetarëve spanjollë, nga dhjetori 2012 në janar 2013. Monitorimi, sipas akuzës, kishte arritur kulmin më 11 dhjetor.
Akuzat për survejimin e SHBA-ve ndaj aleatëve ndërkombëtarë burojnë nga dokumentet e rrjedhura prej ish-kontraktorit të inteligjencës amerikane, Edward Snowden, i cili tashmë ka përfituar azil nga Rusia, ku dhe jeton.
Top Channel