Objektivi i përgjimeve, zbulimi i synimeve të liderëve

29/10/2013 22:35

Dy shefat e shërbimeve sekrete të Shteteve të Bashkuara pranuan përpara ligjvënësve amerikanë se operacionet e survejimit duhet të pësojnë ndryshime, por i quajtën si shumë të rëndësishëm për ruajtjen e vendit nga terroristët.

James Clapper, drejtori i shërbimeve sekrete kombëtare i tha komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve se “zbulimi i synimeve të udhëheqësve ndërkombëtarë është qëllimi kryesor i operacioneve të spiunazhit të Amerikës”.

“Ne nuk spiunojmë këdo, përveç se për arsye të vlefshme të shërbimeve sekrete të huaja dhe punojmë brenda ligjit. Për të qenë të sigurt, ne kemi bërë gabime, disa të rëndësishme, por këto janë shkaktuar nga gabime njerëzore apo probleme teknike. Por, kudo që gjejmë gabime, ne i raportojmë, adresojmë dhe i korigjojmë”, tha  James Clapper.

Deklarata e Clapper erdhi në kohën kur është shtuar tensioni ndërkombëtar për përgjimet e Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve mike. Clapper shpjegoi se edhe aleatët e kanë bërë rutinë përgjimin e zyrtarëve amerikanë dhe agjencive të shërbimeve sekrete.

Kreu i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA), Keith Aleksander, i cilësoi tërësisht false raportimet në mediat franceze, spanjolle dhe italiane. Sipas tij, pjesa më e madhe e të dhënave ishte mbledhur nga shërbimet sekrete europiane, të cilat më pas i kishin ndarë ato me NSA-në.

“Për të qenë të qartë, ky nuk është një informacion që mbledhim nga qytetarët europianë, por është një informacion që ne dhe vendet aleate të NATO-s mbledhim në mbrojtje të vendeve tona, në mbështetje të shërbimeve ushtarake”, tha Keith Aleksander.

Dëshmia e James Clapper dhe Keith Aleksander në Capitol Hill, në komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve, erdhi pas publikimeve në mediat e huaja se NSA-ja spiunoi udhëheqësit, diplomatët dhe qytetarët e vendeve mike të SHBA-ve: Brazilit, Francës, Gjermanisë, Meksikës dhe Spanjës.

Gjithçka e publikuar i referohet të dhënave të bëra publike nga ish-nëpunësi i CIA-s, Edward Snowden, i cili aktualisht ndodhet në Rusi.

Seanca dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve vjen pasi shefja e komisionit të shërbimeve sekrete në Senat, Dianne Feinstein, kërkoi t’i jepej fund përgjimeve të udhëheqësve të vendeve aleate. Gjatë një interviste televizive, presidenti amerikan Barack Obama foli për rishikimin e operacioneve të survejimit të agjencive të shërbimeve sekrete të Shteteve të Bashkuara.

Top Channel