Largohen civilët sirianë

29/10/2013 23:40

Mijëra civilë sirianë, më në fund, u lejuan të largohen nga Muadhamija, lagje në periferi të Damaskut, kryeqytetit të vendit.

Gazetarja e BBC-së, Liz Dyset, e përshkroi si një baticë njerëzish të dëshpëruar, të cilët po ikin nga një zonë e rrethuar prej muajit mars.

Ndihmat në Muadhamija po mbaronin dhe banorët u lutën të shpëtohen nga uria. Eksodi i civilëve u bë i mundur, siç raporton BBC-së, nga lehtësimi i bllokadës nga forcat qeveritare.

Më herët, ushtria siriane ka thënë se zonat në periferi të Damaskut, që mbahen nga kryengritësit, ose duhet të dorëzohen, ose do të vuajnë…

Të paktën tre lagje të Damaskut; Jarmuku, Guta Lindore dhe Muadhamija; mbaheshin të rrethuara nga forcat qeveritare për disa muaj.

Prej muajsh, OKB dhe agjencitë e tjera të ndihmës kërkuan ndihmë urgjente, duke iu frikësuar më të keqes për banorët e Muadhamijas.

“Nuk kemi parë një copë bukë për nëntë muaj, – i tha një grua BBC-së. – Po ushqehemi me gjethe dhe bar”.

Ministri i Çështjeve Sociale, që mbikqyri shpërnguljen, akuzoi kryengritësit, të cilët i quajti terroristë, se kanë depërtuar në Muadhamija. Ndërsa kryengritësit akuzojnë qeverinë se po e bëjnë këtë për t’i detyruar të dorëzohen.

BBC shkruan se tani që largohen civilët, beteja do të intensifikohet.

Situata u bë kaq e pashpresë, sa në fillim të këtij muaji klerikët muslimanë u lejuan sirianëve të përdorin mishin e maceve, qenve dhe gomerëve për të mbijetuar. Sipas fesë muslimane, konsumi i tyre është i ndaluar.

Ndërkohë Organizata Botërore e Shëndetësisë konfirmoi 10 raste me poliomelit në Siri, për herë të parë në 14 vjet, ndërkohë po mbikqyren edhe 12 raste të tjera. Përpara luftës, në vitin 2011, rreth 95% e fëmijëve ishin imunizuar, ndërsa tani 500 mijë fëmijë nuk janë vaksinuar.

Top Channel