
Kosova ka filluar të krijojë lehtësi për
biznesin, thuhet në raportin më të fundit të Bankës Botërore dhe Korporatës Ndërkombëtare
të Financave, IFC, që përfshin periudhën nga 1 qershori 2012 deri më 1
qershor 2013.
Sipas raportit, të cilin e citon “REL”, në këtë kuadër Kosova ka shënuar përparim në krahasim me raportin e mëparshëm, duke u renditur në vendin e 86, nga ai i 98 që ishte në raportin e mëparshëm.
“Kosova e ka bërë më të lehtë lejen për ndërtim, duke eliminuar kërkesat për vlefshmërinë e projektit kryesor, duke eliminuar pagesat për miratim teknik nga komuna dhe duke e reduktuar pagesën e lejes së ndërtimit”, thotë raporti.
Në të vlerësohet gjithashtu se, Kosova e ka bërë më të lehtë transferimin e pasurisë, duke formuar sistemin e ri të noterëve dhe duke kombinuar proçedurat për legalizimin e marrëveshjeve për shitje dhe blerje.
Ndërkohë, Shqipëria është renditur në vendin e 90. Në raport theksohet se vendi e ka bërë më të lehtë pagesën e taksave, duke lejuar që tatimet mbi të ardhurat e korportatave të paguhen në periudhë tremujore.
Top Channel