Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga u prit të hënën në Londër nga sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, William Hague.

Jahjaga po qëndron në Londër për të marrë pjesë në takimin e 9 të Forumit Botëror Ekonomik Islamik, ku do të diskutohet për çështjet e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe teknologjisë, si dhe për avancimin e rolit të gruas në shoqëri.

Sipas raportimeve të “RTK”, presidentja Jahjaga dhe sekretari Hague biseduan për zhvillimet më të fundit në Kosovë, për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për rrugën evropiane të Kosovës, si dhe për çështjen e parandalimit të dhunës seksuale në periudha konflikti.

Jahjaga e falënderoi sekretarin Hague për mbështetjen që Britania i ka dhënë Kosovës në marrjen e MSA-së, negociatat për të cilën kanë filluar dhe theksoi përkushtimin e institucioneve të vendit dhe të gjithë shoqërisë në Kosovë për të përfunduar me sukses këto negociata deri në pranverë të vitit të ardhshëm.

Zonja Jahjaga theksoi se, Kosovës i duhen reforma të thella për qëndrueshmërinë e shtetit dhe të shoqërisë dhe tha se rruga evropiane e saj nuk duhet të shkurtohet pa përmbushur të gjitha detyrimet.

Duke folur për zgjedhjet lokale në Kosovë, që mbahen më 3 nëntor, presidentja vlerësoi se ato janë një test i demokracisë dhe i pjekurisë politike të Kosovës, prandaj dhe është shtuar angazhimi i të gjithëve për mbajtjen e zgjedhjeve të drejta, të rregullta, gjithëpërfshirëse dhe të ndershme.

Nga ana e tij, sekretari Hague e vlerësoi si një arritje të rëndësishme marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se normalizimi duhet të bëhet përmes bisedimeve dhe se rruga evropiane e dy vendeve është e lidhur ngushtë me zbatimin e plotë të marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Zoti Hague i cilësoi si të rëndësishme zgjedhjet lokale në Kosovë dhe shfaqi shpresën për një pjesëmarrje të qytetarëve, në veçanti të komunitetit serb, për të zgjedhur përfaqësuesit legjitimë përmes votës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB