Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, mbylli fushatën në Skënderaj, aty ku kjo parti do të përfaqësohet më 3 nëntor nga një kandidat që ndodhet në paraburgim, në lidhje me akuzat për krime lufte nga Prokuroria e EULEX-it.

Lufta e popullit të Kosovës ishte e drejtë dhe do të ngadhënjejë mbi shpifjen dhe intrigën, deklaroi Thaçi në Skënderaj, duke bërë ftesë për dalje masive në zgjedhjet e 3 nëntorit, që të jetë një fitore edhe më e thellë në këto zgjedhje për PDK-në dhe Sami Lushtakun.

Në tubimin madhështor, Hashim Thaçi, para të pranishmëve, deklaroi se PDK do të jetë fituese në të gjithë Kosovën me një fitore të thellë dhe bindëse.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me kandidatin e kësaj partie për kryetar të Komunës së Istogut, Haki Rugova, e përmbyllën fushatën parazgjedhore në Istog. Mustafa u shpreh i bindur në fitoren e Rugovës edhe për një tjetër mandat.

“Unë, kur thërras kryetarin e Komunës së Istogut dhe nënkryetarin e LDK-së, Haki Rugova, i them se po e thërras edhe pak si kryetar të vetëm, sepse, që nga data 4 nëntor, do të jetë një kryetar më shumë në komunat e Dukagjinit. Dhe LDK, jo vetëm që do të fitojë, por jam i bindur që vota juaj këtu në Istog, vullneti juaj, i të gjithë simpatizantëve, i ka dhënë forcë atyre të Dukagjinit se sivjet do t’i fitojmë zgjedhjet, do t’i fitojmë në Istog, në Prizren, në Suharekë, në Klinë, në shumë komuna dhe bashkarisht të fillojmë një garë të re, një etapë të re të qeverisjes. Jo vetëm këtu, por në shumicën e komunave të Republikës së Kosovës dhe vitin e ardhshëm të fillojmë qeverisjen e vendit me Lidhjen Demokratike në krye”, tha Isa Mustafa.

Kurse kandidati për kryetar në këtë komunë, Haki Rugova, tha se sot nuk do të shpalosë programin qeverisës të LDK-së, por, siç u shpreh ai, sot ka shkuar t’u garantojë qytetarëve të Istogut, që do t’i realizojë 100 për qind të gjitha ato premtime.

Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Besnik Tahiri, prezantoi programin për arsimin në Komunën e Prishtinës, të bazuar në konsultat që janë bërë me grupe ekspertësh.

“Për arsimin, unë i kam tri tema themelore si prioritet. Tema e parë ndërlidhet me gjithëpërfshirjen, si dhe me çerdhet, të cilat janë në menaxhimin e komunës. Zotimi ynë: edhe me programin për ndryshim, edhe me programin lagje për lagje. E dyta, ne do të depolitizojmë menaxhimin e shkollave fillore në Prishtinë, nuk do të lëmë partizanë të partive politike, por në shkolla do të vendosim menaxherë, të cilët do të kontrollojnë procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies dhe, në të njëjtën kohë, do të përkujdesen për funksionimin e shkollës. Tema e tretë, ka të bëjë me sigurimin e shkollave. Siguria në shkolla vazhdon të jetë një problem serioz”, tha Besnik Tahiri.

Besnik Tahiri tha se, si kandidat i Aleancës për Prishtinën, i lejohet që të besojë se janë shumë afër fitores dhe një triumfi të madh në Prishtinë.

Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur që, në pesë ditët e fundit të fushatës zgjedhore, të vazhdojë me aktivitetet në sheshin e kryeqytetit, ku qytetarët e Prishtinës mund të njihen së afërmi me programin dhe kandidatët.

“Me këtë dëshirojmë që qytetarët të kenë mundësi, që këto pesë ditët e fundit të fushatës të vijnë dhe të bisedojnë me ekipin tonë, dhe nëse kanë pyetje përfundimtare në lidhje me programin tonë, t’ua japim atë mundësi. Fushatën tonë, ashtu si qeverisjen tonë, do ta karakterizojë transparenca, diskutimet e vazhdueshme me qytetarë, ku secili prej tyre që do të bëjë pyetje, në lidhje me lagjen e vet dhe programin që e pret me qeverisjen e VV në Prishtinë, mund ta bëjë edhe tani para zgjedhjeve, por edhe menjëherë pas zgjedhjeve. Dhe, atëherë do të jetë edhe më mirë, sepse do të flasim për zgjidhjen e problemeve, që i kanë prej disa vitesh”, tha Shpend Ahmeti.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që, më 3 nëntor, të dalin të votojnë, duke i siguruar ata se do ua mbrojnë votën e tyre, pasi VV ka një mijë persona, që do të punojnë ditën e zgjedhjeve vetëm në Prishtinë.

Në kuadër të fushatës, Partia e Fortë ka prezantuar këngën “Do të bëhemi milionerë”, si himn të kësaj partie. Shpejtësinë, me të cilën ata do të arrijnë milionat, e kanë quajtur si “TAG, Trajektorja e Adem Grabovcit” dhe se, në një periudhë prej pesë vjetësh, nënkryetarët e PF pretendojnë ta shtojnë pasurinë e tyre për 1 mijë për qind.

“Sipas këtij grafiku, pasuria e një politikani, para se të futet në politikë dhe pas futjes në politikë, dhjetëfishohet çdo pesë vjet. Të lumtur me këto informata, që i kemi marrë nga studimet empirike në terren, ne kemi ardhur në përfundim se kënga ‘Do të bëhemi milionerë’ është kënga më e përshtatshme për të nisur hyrjen tonë në politikë, e cila tashmë është shumë afër. Pesë apo gjashtë ditë kanë mbetur nga zgjedhjet, kur ne do të fitojmë padyshim”, u shpreh Yll Rugova, nënkryetar i PF.

Ndërsa nënkryetari tjetër, Genc Salihu, ka bërë një prezantim të mëhershëm të këngës së kënduar nga këngëtarja Adelina Ismajli dhe e ripërtërirë me leje të kompozitorit.

Top Channel