
Në Kinë, përpara se çaji të kthehej në një pije që gjithkush mund ta konsumonte, shihej si një bimë medicinale. Edhe sot në mjekësinë tradicionale kineze përdoret për të arritur rezultate më të mira meditimi. Dikur mund ta pinin vetëm priftërinjtë budistë dhe aristokratët, ndërkohë që sot është pija që konsumohet nga të gjitha shtresat e popullsisë.
U desh shumë kohë që çaji të kalonte nga Kina në Japoni, por ishin këta të fundit që përsosën artin e servirjes Cha-No-YU. Ata ndoqën disa praktika që edhe sot respektohen jo vetëm në dhomën e çajit, por edhe si filozofi jete. Duke vlerësuar momentin, artin e thjeshtësisë dhe balancës në formë levizjeje dhe objekte.
Kur çaji u prezantua në Angli për herë të parë, konsumi ishte i kufizuar për shkak të kostos së lartë. Me kalimin e kohës kjo ishte një pije e domosdoshme në çdo shtëpi. Kur thua “çaji i pasdites” është si të thuash “britanik”. Ana, Dukesha e Bedfordit, e ktheu në një traditë që i takonte aristokracisë. Por, u përhap me shpejtësi në të gjitha nivelet sepse u pa si një mundësi e mirë për të kaluar kohë me miqtë.
Caji në Indi fitoi popullaritet si një pije kombëtare në shekullin e 19, pasi britanikët krijuan plantacione të mëdha në mënyrë që të siguronin furnizimin e mjaftueshëm për vendin e tyre. India është një nga furnizuesit më të mëdhenj të çajit në Botë, por në konsumimin e tij nuk ka rituale të veçanta si në Japoni apo Kinë.
Caji në Rusi mbërriti në shekullin e 17 nga karvanet e tregtarëve dhe deveve nga Kina. Udhëtimi zgjati 1 vit dhe kishte çmim të lartë, për këtë vetëm aristokracia mund ta shijonte. Sot është gjerësisht i përhapur dhe ka mënyren e vet të përgatitjes në Samovar. Nuk mungon në asnjë tryeze ruse.
Maroku, Egjipti dhe Turqia kanë ngjashmëri në zakonet e tyre të pirjes së çajit. Egjipti është një tjetër importues i madh i çajit në Botë dhe shumica e njerëzve konsumojnë disa gota çaj të zi në ditë. Në këto tri vende çaji serviret në gota të vogla dhe ëmbëlsohet me shumë sheqer.
Franca ka një histori të ngjashme me atë të Anglisë në afeksionin që ka me çajin. Caji u prezantua thuajse në të njëjtën kohë dhe u shijua nga aristokracia përpara se të bëhej pjesë e tryezave e pjesës tjetër të popullsisë. Sot, në Francë çaji i kamomilit apo luleve të tjera janë ndër më të preferuarit.
Efektet e çajit
Një filxhan çaj të shijon për shumë arsye! Mund të jetë aroma, ndjesia e ngrohtësisë që të sjell në ditët e ftohta të dimrit, apo e qetësisë nëse konsumohet në ambientin e duhur!
Por, çaji nuk ka vetëm efekte çlodhëse, ai bën shumë mirë për shëndetin.
Çaji përmban antioksidues. Gjithashtu, përmban më pak kafeinë sesa kafeja. Një filxhan kafeje përmban zakonisht rreth 135 miligramë kafeinë, ndërsa çaji përmban rreth 30 deri në 40 miligramë për çdo filxhan. Nëse pirja e kafesë ju shkakton ankth, pagjumësi apo dhembje koke, atëherë është koha të filloni të pini çaj!
Studime të vazhdueshme kanë dalë në konkluzione se konsumi i çajit ul rrezikun e atakut të zemrës dhe vdekjes së qelizave të trurit si dhe mbron kockat. Janë krahasuar personat që pinë dhe ata që nuk pinë çaj dhe konkluzioni ishte se personat që kanë pirë çaj për 10 vjet ose më shumë, kanë kocka më të forta, pavarësisht moshës, peshës, ushtrimeve fizike apo edhe pirjes së duhanit.
Duke pirë çaj rritet imuniteti i trupit ndaj infeksioneve të shumta. Është një ndër pijet që ndihmon në hidratimin e trupit. Shumë njerëz ankohen se kanë një metabolizëm të dobët dhe se nuk humbin dot peshë. Çaji jeshil ka treguar se rrit metabolizmin dhe se ju mund të digjni 70-80 kalori duke pirë pesë filxhanë në ditë. Duke e llogaritur për një vit mund të humbni rreth 3.6 kilogramë vetëm duke pirë çaj jeshil.
Po cili është më i mirë, çaji jeshil, i ziu apo i bardhi? Nuk ka shumë ndryshim mes llojeve të ndryshme të çajrave sepse të gjithë përgjithësisht përmbajnë të njëjtën sasi të pigmenteve që treten dhe kanë vlera për shëndetin. Çaji jeshil dhe i ziu vijnë prej së njëjtës bimë, por çaji jeshil është tharë për më pak kohë, duke shmangur kështu procesin e fermentimit që gjendet tek çaji i zi.
Çaji e ka origjinën nga Kina. Është zbuluar gjatë dinastisë Shang (viti 1500-1046) para lindjes së Krishtit, ku përdorej si pije mjekësore. Gjatë shekullit XVI me çajin u njohën tregtarët dhe priftërinjtë portugezë. Pirja e çajit u bë e përhapur në Britaninë e shekullit XVI. Britanikët vendosën ta fusnin çajin edhe në kultivimin indian për të konkuruar monopolin e çajit kinez. Çaji është një nga pijet më të konsumuara në botë.
Top Channel