Zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të vizitojë Kosovën në fund të muajit. Lajmin e bëjnë të ditur mediat serbe, të cilat i referohen një njoftimi për shtyp të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë.

Sipas burimeve, të premten Vuçiç do të vizitojë të gjitha zonat në Kosovë, para zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, së bashku me ministrin pa portofol, Aleksandar Vulin.

Prokuroria e Kosovës ka nisur hetime ndaj këtij të fundit, për shkak të hyrjes ilegale në Kosovë disa ditë më parë.

Më herët gjatë muajit Kosova u vizitua nga kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili pavarësisht se kishte njoftuar një vizitë të karakterit fetar, nuk mundi të mos fliste për politikë.

Daçiç ftoi serbët e Kosovës që të dalin në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit dhe të punojnë për institucionet e Serbisë, duke shkelur kështu rregullat e Prishtinës zyrtare.

“Kësaj radhe duhet të dalim të gjithë në zgjedhjet lokale që të zgjedhim pushtetin serb. Serbia nuk ju fton ju që të dilni në zgjedhjet lokale për Prishtinën, por për ju dhe për ne, që të keni pushtet i cili do t’i legjitimojë dhe artikulojë interesat tona serbe në Kosovë e Metohi.

Nuk guxojmë të lejojmë dhe kjo është e turpshme që ka ndodhur në disa komunat tona, që të hedhim bomba ndaj njëri-tjetrit. Autoritetet e Prishtinës më kanë ndaluar herën e kaluar vizitën për në Shtërpçë. Pse?!

Sepse kërkojnë që ne të mos ndikojmë se kush duhet votuar. Unë them se nuk është nevoja që ne të ndikojmë. Duhet votuar për ata që kanë qëndrim të njejtë me Beogradin dhe Serbinë”, tha Daçiç.

Manastiri i Graçanicës, komunës me shumicë serbe afër Prishtinës, ishte vendi nga i cili kryeministri serb shfaqi përkrahjen për subjektin politik “Nisma Qytetare Serbe”, e cila garon për pushtetin lokal në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Top Channel