Rumani, nis ndërtimi i bazës amerikane

28/10/2013 15:15

Rumania nisi ndërtimin e një baze balistike amerikane, të shndërruar në një objekt përplasjesh diplomatike me Rusinë prej vitesh.

Sipas planit, baza e Deveselus në jug të vendit do të bëhet funksionale nga viti 2015.

Në këtë bazë do të vendosen radarë të teknologjisë së fundit dhe raketa SM-3, në gjendje që të shkatërrojnë raketa me mbushje balistike dhe bërthamore në një rreze të gjerë veprimi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pretendojnë se baza nuk ka kapacitete sulmuese dhe se qëllimi i ndërtimit të saj është sigurimi i aleatëve europianë nga çdo kërcënim që mund të verifikohet në të ardhmen.

Irani shihet si rreziku potencial që motivoi ndërtimin e kësaj baze.

Megjithatë, plani i Uashingtonit është kritikuar vazhdimisht nga Rusia, e cila e sheh këtë bazë si të adresuar kundër saj.

Putin ka premtuar më parë që do të reagojë në mënyrë energjike, duke forcuar kapacitetet sulmuese balistike ruse, nëse puna për ndërtimin do të niste.

Mbetet ende për të parë se cila do të jetë kundërpërgjigja zyrtare e Moskës.

Top Channel