Vijojnë sulmet në Iran, forcat izraelite rrëzojnë aeroplanin e parë iranian mbi Teheran Spanja i kërkoi Shteteve të Bashkuara hollësi për çdo përgjim të kryer nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare, të Shteteve të Bashkuara pas publikimit në gazetën spanjolle “El Mundo” se NSA kishte mbikëqyrur 60 milionë telefonata brenda një muaji.
Ambasadori amerikan në Spanjë u thirr nga sekretari i Shtetit për BE-në pranë Ministrisë së Jashtme spanjolle, Inigo Mendes de Vigo sepse vetë shefi i diplomacisë ndodhet në Poloni.
Nga Varshava ai tha se, nëse informacioni do të rezultojë i vërtetë, atëherë kjo do të ishte një praktikë e papranueshme mes vendeve aleate dhe mike.
“I kërkuam ambasadorit, siç kemi bërë edhe në dy raste të mëparshme të ndihmojë qeverinë me të gjithë informacionin e nevojshëm për këto shqetësime, të cilat nëse konfirmohen do të jenë një e çarë në klimën e besimit që ka ekzistuar tradicionalisht në marrëdheniet mes dy vendeve”, deklaroi Jose Manuel Garcia Margallo.
Akuza e fundit, e publikuar në gazetën “El Mundo”, është se NSA ka përgjuar miliona telefonata, mesazhe, emaile të qytetarëve europianë, në dhjetor të vitit 2012 dhe janar të vitit 2013. Shtëpia e Bardhë deri tani nuk ka bërë asnjë koment për raportimet në “El Mundo”.
Nuk është ende e qartë se si është kryer përgjimi, përmes fibrave-optike, përmes vjeljes së të dhënave nga kompanitë e telekomunikimit apo me mjete të tjera. Për çdo thirrje telefonike janë rregjistruar numrat, identiteti i telefonuesit dhe marrësit, po kështu ora, data dhe vendi.
Sipas zyrtarëve të shërbimeve sekrete amerikane, përmbajtja e telefonatave nuk është përgjuar. Një delegacion i Bashkimit Europian do të shkojë në Uashington për të paraqitur shqetësimet mbi përgjimet.
Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel do të dërgojë zyrtarë të shërbimeve sekrete për t’u informuar për operacionet e NSA-së.
Ndërkohë, agjencia japoneze e lajmeve “Kyodo” raportoi se Agjencia e Sigurisë Kombëtare i kërkoi qeverisë japoneze në vitin 2011 të vëzhgonte fibrat optike, të cilat mbanin të dhënat nga Japonia në rajonin e Azi-Paqësorit.
Qëllimi, sipas “Kyodo”, ishte përgjimi i Pekinit, por zyrtarët japonezë refuzuan, duke iu referuar kufizimeve ligjore dhe mungesës së personelit.
Top Channel