
Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Azem Syla është sulmuar me armë zjarri ditën e hënë, raporton agjencia kosovare e lajmeve “Kosovapress”.
Sipas burimit, ende nuk dihet me saktësi se kush ka tentuar të qëllojë Sylën, por dyshimet bien mbi Gani Gecin, ish-deputet i Parlamentit të Kosovës.
“Kosovapress”, që citon burime nga vendi i ngjarjes, raporton se incidenti ka ndodhur pas shpërndarjes së turmës në tubimin e PDK-së në Skënderaj.
Po këto burime njoftojnë se gjatë tentativës për vrasje, autorit nuk i është shkrepur arma dhe pas përpjekjes së dytë të tij kanë ndërhyrë disa persona që ishin afër Sylës, të cilët e kanë neutralizuar.
Burimet konfirmojnë se ka pasur edhe një përpjekje të dytë nga disa persona të tjerë, por pas ndërhyrjes së një truprojeje, i cili ka qëlluar në ajër, është bërë edhe neutralizimi i dytë.
Menjëherë pas kësaj ka mbërritur policia, e cila ka shoqëruar Sylën dhe të tjerët në një ambient të sigurt. Syla dikur ka qenë komandant i një prej fraksioneve të UÇK-së, ndërsa tani është deputet i Parlamentit të Kosovës.
Përplasja Geci-Sylaj, reagon policia
Forcat e rendit sqarojnë incidentin e ndodhur në Skënderaj
Pas njoftimeve në mediat kosovare se ish-deputeti Gani Geci ka qëlluar me armë në drejtim të deputetit Azem Syla në Skënderaj, ka reaguar Policia e Kosovës.
Policia në një komunikatë për shtyp sqaron se incidenti ka ndodhur pasi tubimi i Partisë Demokratike të Kosovës në Skënderaj kishte përfunduar.
Sipas njoftimit, rreth orës 13:55 Policia e Kosovës ka marrë një informacion se në rrugën “Ahmet Delija” të Skenderajt po ndodhte një rrahje e ku sipas informacioneve të para ishte sulmuar fizikisht deputeti i PDK-së, Azem Syla dhe Adnan Koçi, truprojë e deputetit Gani Koçi.
“Nga informacionet e deritanishme dyshohet se personat e dyshuar janë Gani Geci me disa anëtarë të familjes së tij, njëri prej të cilëve dyshohet se ka mbajtur armë në dorë”, thuhet në komunikatën e policisë.
Nga hetimet fillestare dyshohet gjithashtu se në vendngjarje është dëgjuar një e shtënë në ajër me armë zjarri, por mbetet të hetohen të gjitha rrethanat e mundshme të këtij rasti. Sipas informacioneve të deritanishme nga terreni, nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar apo të plagosur.
“Njësitet policore kanë reaguar me urgjencë në vendngjarje dhe kanë arritur ta venë situatën nën kontroll dhe gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është gjetur një gëzhojë e armës së zjarrit”, vijon komunikata.
Të cituar nga mediat, Geci nga ana e tij thotë se ka pasur vetëm një pistoletë lodër që i shërben si çakmak dhe se këtë akt e bëri vetëm për t’i trembur pasi u provokua, ndërsa Syla ka thënë se me çështjen do të merret vetëm prokuroria.
Top Channel