Me diskutimin mbi ceshtjen e tregtisë dhe legjislacionit, të hënën nisën negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes Kosovës dhe Komisionit Europian.

“Është një ditë historike sepse sot po hapet një kapitull i ri në procesin integrues të vendit tonë dhe po fillon një proces i ri i pakthyeshëm ndonjëherë në historinë e çdo shteti, pra edhe në historinë e Kosovës. Sot po fillojmë zyrtarisht një proces që shpie drejt anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Europian”, tha kryeministri Thaçi.

Ndërsa ministrja e Integrimeve Europiane dhe kryenegociatorja e Kosovës për MSA, Vlora Çitaku tha se të dyja palët u dakorduan për një kalendar intensiv të negociatave, ku do te diskutohet në lidhje me 4 fusha.

“Është inkurajuese, që kemi dëgjuar sot, se para nesh do të kemi një marrëveshje, që do të përfshijë të gjitha elementet tradicionale të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Konkretisht, mund t’iu njoftoj se procesi negociator do të zhvillohet në 4 fusha: Negociimi i çështjeve politike, i çështjeve tregtare, i çështjeve të përafrimit të legjislacionit dhe i çështjeve të politikave të bashkëpunimit”, tha Vlora Çitaku, ministre e Integrimit.

Kryenegociatori nga ana e BE-së, Joost Korte tha se ekipi negociator i Kosovës duhet të ofrojë mendimin e vet për ofertën  dhe pastaj t’i negociojë detajet e marrëveshjes.

“Sot filluam me thelbin e MSA-së që është liberalizimi i tregëtisë dhe tregut. Po mundohemi të krijojmë një zonë të lirë tregtare midis Kosovës dhe BE-së, në një periudhë prej maksimum 5 vitesh”, tha Joost Korte, kryenogociator i BE-së për MSA-në me Kosovën.

MSA do të jetë një marrëveshje thelbësore në mes të Kosovës dhe BE-së dhe si e tillë do të rregullojë aspekte të rëndësishme të marrëdhënieve tona, siç janë: dialogu politik, drejtësia dhe punët e brendshme, çështjet e tregtisë, bujqësisë, zhvillimit social dhe ekonomik, mjedisit, tha ai. 

Nga ana tjetër MSA-ja për Kosovën dallon nga të tjerat pasi Kosova ende nuk njihet si shtet nga 5 shtete anëtare të BE-së.

“Meqënëse 5 shtete anëtare të BE-së nuk njohin Kosovën si të pavarur, kjo do të jetë marrëveshje e BE-së, pra nuk do të pyeten shtetet anëtare një nga një që të nënshkruajnë marrëveshjen, por marrëveshja do të nënshkruhet në Parlamentin Europian, ku 28 vende janë zyrtarisht të përfaqësuara. Ky është kompromis i bërë në Bruksel gjatë pranverës dhe që u pranua unanimisht nga 28 vendet në qershor”, deklaroi Joost Korte.

Sipas Korte, ai shpreson që negociatat  të zgjasin deri në pranverë, dhe gjatë kësaj kohe do të krijohen e do të takohen grupet teknike të punës. Takimi i ardhshëm do të mbahet më 27 nëntor në Prishtinë.

Top Channel