Merkel përgjohej nga viti 2002

27/10/2013 08:45

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përgjuar celularin e Kancelares Angela Merkel që prej vitit 2002, raportoi të dielën “Der Spiegel”.

E përditshmja tregoi se arriti në këtë përfundim pasi zbuloi disa dokumenta të fshehta nga Agjensia Kombëtare e Sigurisë (NSA), të cilat tregojnë se numri i Merkelit ishte midis listës së përgjimeve që përpara se ajo të shndërrohej në kancelare.

Numri i saj mbetej në listën e mbikqyrjes edhe në vitin 2013, kur ky skandal me përmasa ndërkombëtare u bë i njohur.

Ndërkohë, në Uashington u regjistruan gjatë së shtunës një seri protestash kundër programit të spiunimit të NSA-së.

Disa dhjetëra mijëra qytetarë marshuan drejt Senatit, duke kërkuar kufizimin e përgjimeve.

Disa prej tyre mbanin parrulla në të cilat shprehej mbështetja për Edward Snowden, ish-punonjësin e NSA-së që bëri të njohur për botën programin e përgjimeve.

Aktualisht, Snowden ndodhet i strehuar politikisht në Rusi, ku po i fshihet përndjekjes nga drejtësia amerikane që e akuzon për spiunazh.

Raportimi i “Der Spiegel” vjen në një moment të tensionuar të raporteve midis SHBA-së dhe aleatëve të saj europianë e amerikanojugorë, me Gjermaninë dhe Brazilin që po përgatisin aktualisht një rezolutë në OKB për garantimin e privacisë elektronike.

Top Channel