Italiani dënohet për racizëm

27/10/2013 21:40

Nga qyteti verior i Bolzanos mbërrin një dënim shembullor për sjellje raciste.

Një 43-vjeçar vendas është dënuar me një vit burg dhe me një gjobë prej 5 mijë eurosh, për dëmtime personale dhe akte persekutuese me natyrë raciste, ndaj një familjeje shqiptare.

Sipas gjykatës, Silvano Scalise, i cili u dënua ashpër, ka shkelur ligjin “Mancino”, që ndëshkon aktet dhe diskriminimin me arsye raciste, etnike apo fetare.

Gjykatësja Carla Scheidle, që ka shqyrtuar rastin, deklaroi se i pandehuri i ka shkaktuar familjes një gjendje ankthi dhe frike, aq sa e ka detyruar të ndryshojë mënyrën e jetesës.

Është vërtetuar se shtetasit shqiptarë evitonin të dilnin në rrugët kryeqore të qytezës, ku mund të takonin të pandehurin.

Përveç fyerjeve dhe kërcënimeve të shumta, në muajt e kaluar, emigrantët kanë pësuar edhe sulme fizike. Një episod dhune është regjistruar kundër gruas së familjes, e cila ka pësuar një dëmtim në këmbë.

Më pas, familja shqiptare ka vendosur të ngrejë padi kundër Silvano Scalise. Me vendim të gjykatës, ai nuk do të ketë mundësi të përfitojë as nga pezullimi i kushtëzuar i dënimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA