Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika është marrë i pandehur nga Prokuroria e Rrethit, ndërsa u njoftua zyrtarisht se dosja me tetë të akuzuar do të shkojë për gjykim.
Në një deklaratë për mediat Drejtoresha e Kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm bëri me dije se Shpëtim Gjika akuzohet se ka falsifikuar, në bashkëpunim me Specialisten e Planifikimit të Territorit në Bashkinë e Vlorës, Eleni Dardhaj, procesverbalet e dy mbledhjeve të KRRT-se duke favorizuar dy ndërtime në Vlorë.
“Të pandehurit Shpëtim Gjika dhe Eleni Dardha janë akuzuar për veprën penale të falsifikimit të dokumentave të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186, paragrafi 3 dhe neni 25 i Kodit Penal. Kane falsifikuar përmbajtjen e dy procesverbaleve të mbledhjes së KRRT-së së Bashkisë Vlorë, përkatësisht më datë 24/03/2010 dhe 15/07/2010. Këto dokumenta të prodhuara nga dy të pandehurit kanë në përmbjatjen e tyre rrethana të reja, dy lejet e ndërtimit sikur janë marrë në shqyrtim dhe janë miratuar nga KRRT e Bashkisë Vlorë, në të vërtetë nuk janë miratuar nga KRRT e Bashkisë Vlorë”, deklaroi Fjorida Ballauri, Drejtore e Kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme në rastin e parë janë prodhuar të dhëna të rreme për një pallat 13-katësh në një zonë ku nuk lejohet.
“Në bazë të të dhënave të rreme të prodhuara nga të pandehurit është nxjerrë një leje ndërtimi për kompleks banimi 13-katësh, me parkim nën tokë me pronarë të truallit të pandehurit Aleks Ahmetaj, Artan Ferati, Mustafa Tartari, me subjekt ndërtues Deko Systems SHPK dhe përfaqësues ligjor, të pandehurin Blerti Liçaj. Vendi për të cilën sipas këtij dokumenti të rreme ri është lejuar kryerja e ndërtimit të mësipërm ndodhet në bulevardin qëndror Vlorë-Skelë, në afërsi të Teatrit Petro Marko në vendin e quajtur Tre Rasat. Duhet theksuar se në këtë zonë nuk lejohet të ndërtohet”, thuhet në kallëzimin e Prokurorisë.
Ndërsa në rastin e dytë sipas Prokurorisë është dhënë një leje ndërtimi brenda territorit të Portit Detar, gjë që ka rënë ndesh me ligjin.
“Po ashtu, në bazë të të dhënave të rreme është dhënë leje ndërtimi për një godinë banimi dhe shërbimi 2-6 kate + papafingo dhe një kat nën tokë në lagjen Pavarësia me pronar trualli të pandehurin Gëzim Fetaj dhe subjekt ndërtues Embio SHPK, me përfaqësues ligjor të pandehurin Gentian Sherifaj. Vendi për të cilin sipas këtij dokumenti të rremë, është krijuar ndërtimi i mësipërm, ndodhet në lagjen Pavarësia, brenda territorit të Portit Detar. Duhet theksuar se në këtë zonë, nuk lejohet të ndërtohet.
Në ndjekje penale do të shkojnë edhe gjashtë drejtuesit dhe pronarët e firmave që kanë përfituar nga lejet e ndërtimit të dhëna nga Bashkia Vlorës.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika u shpreh se do të kërkojë kohën e mjaftueshme për t’iu përgjigjur akuzave, ndërsa e konsideroi absurd faktin që Prokuroria e Përgjithshme në një ditë pushimi dha një deklaratë të tillë për mediat.
Dorëzimi i kallëzimit penal për Gjikën ndodh në të njëjtën ditë, në të cilën në qytetin e Vlorës u prish me eksploziv një ndërtesë 7-katëshe, e cila pengon planin e zhvillimit urbanistik të qytetit.
Top Channel