Ministria e Brendshme ka njoftuar mbrëmjen e së shtunës se do të marrë masa për prishjen e ndërtimeve pa leje në qytetin e Vlorës.
Sipas njoftimit, një nga masat që do të aplikohet me nismë të ministrit Sajmir Tahiri do të jetë bllokimi i qarkullimit rrugor nga ora 07:00 deri në 16:00 të ditës së diel.
Gjithashtu, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve pranë ndërtesave pa leje që do të prishen, si dhe lokalet përreth këtyre zonave do të jenë të mbyllur.
Në operacionin në fjalë që do të nisë nesër në qytetin bregdetar, i dëmtuar nga ndërtimet e vazhdueshme pa leje, do të jetë i pranishëm edhe vetë ministri Tahiri.
Këtë të mërkure në qytetin e Vlorës filloi faza e dytë e prishjes së ndërtimeve pa leje përgjatë vijës bregdetare. Në këtë zonë pritet që pas prishjeve të ndërtimeve pa leje të ndërtohet shëtitorja e madhe buzë detit.
Gjithësesi, nuk ka ende asnjë informacion nëse do të ketë dëmshpërblime për objektet që janë ndërtuar me leje të rregullta ndërtimi.
Një ditë më parë një aksion i ngjashëm për lirimin e hapësirave publike nisi në qytetin e Durrësit, nga Ura e Dajlanit ku janë planifikuar të prishen 17 objekte, kryesisht lavazhe, lokale dhe kioska.
Në mbështetje të aksionit të ndërmarrë nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik i Bashkisë së Durrësit janë vënë edhe forcat e policisë bashkiake dhe ato të rendit publik.
Aksioni do vijojë dhe në zona të tjera të qytetit për çlirimin e hapësirave të zëna padrejtësisht nga subjekte, që për të siguruar fitim nga aktiviteti i tyre kanë shmangur prej vitesh shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit.
Top Channel