Vijojnë sulmet në Iran, forcat izraelite rrëzojnë aeroplanin e parë iranian mbi Teheran
Zgjedhjet e mbajtura për të zgjidhur pasiguritë politike që kanë përfshirë prej muajsh Republikën Çeke nuk kanë nxjerrë një fitues të pastër.
Me të gjitha votat e numëruara, Social Demokratët kanë shumicën e tyre, pak fare mbi 20 për qind, por nuk kanë sa duhet për të formuar të vetëm qeverinë.
Analistët deklarojnë se rezultati mund të hapë rrugën për një tjetër koalicion politik të paqëndrueshëm, me vendosjen e partisë ANO në një pozitë të rëndësishme.
Zgjedhjet u mbajtën pas një ngërçi politik që zgjaste prej muajsh. Qeveria e qendrës së djathtë e kryesuar nga Petr Necas u rrëzua pas zbulimit të një skandali korruptiv në qershor.
Që prej atëherë vendi ka qenë pa një ekzekutiv konkret dhe aktualisht qeveriset nga një kabinet teknokratësh. Korrespondentët deklarojnë se këto zgjedhje kanë gjasa të ndiqen nga javë të tëra negociatash të vështira.
I dërguari i BBC në Pragë, Rob Cameron thotë se social-demokratët kishin shpresuar se do të fitonin mjaftueshëm për të qeverisur vendin, nëse mbështeteshin ose toleroheshin nga komunistët.
Por edhe së bashku të dyja partitë nuk kanë sa duhet vota për të formuar një koalicion qeverisës. Kjo hap rrugën për nisjen e bisedimeve me partitë e tjera parlamentare.
Lideri i partisë Social Demokrate, Bohuslav Sobotka pranoi se rezultatet e zgjedhjeve nuk ishin ato që priste, por ai tha për gazetarët se ishte gati për të filluar bisedime me të gjitha partitë.
I dërguari i BBC thotë më tej se fituesi i vërtetë në këto zgjedhje është partia ANO, një grup i ri i qendrës së djathtë që lobon kundër korrupsionit dhe drejtohet nga një miliarder i agrikulturës.
Top Channel