Raporti, SHBA-Pakistan, marrëveshje mbi dronët

25/10/2013 04:30

Zyrtarët pakistanezë kanë miratuar fshehurazi programin amerikan të sulmeve me avionë të telekomanduar, madje caktojnë edhe të paktën nga 1 objektiv për secilin sulm, sipas një raporti të “Washington Post”.

As Shtëpia e Bardhë, as Departamenti i Shtetit dhe as Ministria e Jashtme e Pakistanit nuk kanë komentuar rreth kësaj ngjarjeje, që thotë se disa memo top-sekrete të CIA-s dhe Pakistanit janë siguruar nga “Post”, të cilat përshkruajnë të paktën 65 sulme të tilla nga fundi i 2007-s deri në fund të 2011-s.

Zhvillimi i fundit vjen pas vizitës së kryeministrit pakistanez, Nawaz Sharif, në Washington, ku u takua me presidentin Obama. Ai u tha reporterëve se i kishte shtruar çështjen e sulmeve me dronë Obamës, “duke këmbëngulur për nevojën e ndalimit të sulmeve të tilla”.

Sekretari për Shtypin i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, u pyet gjatë së enjtes mbi këtë raport.

“Nuk mund të flas për çështje specifike operacionale, – tha ai. – Ajo që mund t’iu them është se sa i përket çështjeve të bashkëpunimit bilateral dhe antiterrorizmit, ne zhvillojmë bisedime të rregullta me Pakistanin”.

Për vite me radhë, zyrtarët e Pakistanit kanë denoncuar sulmet me dronë, por historia e “Post” tregon se ata, jo vetëm që kishin dijeni mbi sulmet, por edhe kanë marrë pjesë aktivisht në përzgjedhjen e objektivave të sulmit. Një dokument nga viti 2010 përmban një të dhënë rreth sulmit të një vendndodhjeje “me kërkesë të qeverisë suaj”, thuhet në “Washington Post”.

Korrespondenti i CNN në zyrën e Shefit të Sigurisë Kombëtare, Jim Sciutto, tha se burimet e tij i kishin thënë se prej kohësh ekziston një bashkëpunim i mirë mes agjencive të inteligjencës së të dy kombeve.

Raporti i “Post” i bën jehonë asaj çfarë tha ish-presidenti i pakistanit, Pervez Musharraf, në muajin prill. Por, ai kishte theksuar se qeveria pakistaneze kishte nënshkruar “vetëm në pak raste, kur objektivi ishte absolutisht i izoluar dhe kur nuk kishte mundësi për dëme të tjera”. E megjithatë, deklarata e tij mbetet e para në histori, që një drejtues pakistanez i së kaluarës apo i së tashmes ka pranuar publikisht një marrëveshje të tillë.

Dronët e telekomanduar amerikanë nisën sulmet në Pakistan në 2004, kohë kur Musharraf nisi të udhëhiqte vendin e tij për 5 vjet, pasi mori pushtetin nëpërmjet një grushti shteti të pa përgjakshëm.

Ai tha se liderët pakistanezë duhet të miratonin sulmet me dronë të amerikanëve, pasi të diskutonin përfshirjen ushtarake dhe njësive të inteligjencës dhe vetëm nëse “nuk do të kishte kohë e mundësi për ndërhyrjen e ushtrisë sonë”. Musharraf u largua nga posti në vitin 2008.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA