Prodi: Përgjimet nuk janë risi

25/10/2013 23:25

Përgjimi i liderëve të kontinentit të vjetër nuk është risi, të paktën jo për ish-presidentin e Komisionit Europian, Romano Prodi.

Telefonatat e mia përgjoheshin që përpara 10 vjetëve, – ka deklaruar ai në një intervistë për “Il Messaggero”. Që atëherë e zbulova se kisha përfunduar në rrjetën e “Echelon-it”, emri fillestar i vënë sistemit ndërkombëtar të përgjimit, që sot njihet si “Pesë Sytë” (Shtetet e Bashkuara, Britania, Australia, Zelanda e Re dhe Kanadaja).

Zëri im, – sqaron Prodi, – ishte vendosur në trurin qëndror dhe çdo bisedë regjistrohej automatikisht nga çfarëdo lloj aparati që të përdorja.

Në këndvështrimin e profesorit, disa metoda, sado pushtuese të duken, mund të justifikohen deri diku me rrezikun e terrorizmit. Por, kjo duhet të ndodhë në rastet kur dyshohet për diçka, sepse fenomeni po njeh një intensitet në rritje. E kur bëhet fjalë për kontrolle të paligjshme të disa shteteve në dëm të disa të tjerëve, atëherë kjo shkel jo vetëm rregullat juridike ndërkombëtare, por edhe të drejtat themelore të qytetarëve të thjeshtë, – shton ai.

Zëra nga politika në Washington po përpiqen ta minimizojnë rëndësinë e situatës. Pete Hoekstra, njeriu që deri në vitin 2007 drejtonte komitetin e Shërbimit Sekret të Dhomës së Përfaqësuesve, ka një përcaktim shumë të thjeshtë për gjithë çfarë po ndodh. “Shumë zhurmë për asgjë. Jemi të gjithë miq, – thotë ai. – Francezët, gjermanët, izraelitët, amerikanët, jemi të gjithë aleatë, ama e dimë mirë se në botën e spiunazhit çfare nuk ndodh. Mund të ketë periudha, gjatë të cilave ne ndërmarrim operacione inteligjence ndaj njëri-tjetrit, e për këtë ka mirëkuptim të plotë.

Gazeta “Washington Post”, ndërkohë, përcjell paralajmërimet e zyrtarëve amerikanë drejtuar disa shërbimeve të huaja të zbulimit, se dokumentet që ka në dorë ish-kontraktori i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare, Edward Snowden, përmbajnë detaje edhe për bashkëpunimin e tyre me Shtetet e Bashkuara.

“Washington Post” e përshkroi procesin e informimit të zyrtarëve të kryeqyteteve botërore për rrezikun e publikimit si “delikat”, sepse në mjaft raste, një institucion i qeverisë së një vendi mund të mos jetë në dijeni të faktit, që një institucion tjetër po bashkëpunon.

Top Channel